Lidhje

Korea e Veriut bie dakord të mbyllë objektet e saj bërthamore brenda 60 ditëve në shkëmbim të ndihmave dhe stimujve të tjerë


Korea e Veriut ra dakord të mbyllë objektet e saj bërthamore brenda 60 ditëve në shkëmbim të ndihmave në formë karburantesh dhe stimujsh të tjerë.

Përfaqësuesi kinez në bisedimet ndërkombëtare për programin bërthamor të Koresë së Veriut, U Ta Uej, tha në Pekin se marrëveshja i kërkon Penianit të mbyllë kompleksin bërthamor të Jongbjonit dhe të lejojë inspektorët ndërkombëtarë të hyjnë në këtë objekt.

Korea e Veriut duhet gjithashtu të deklarojë të gjithë materialin bërthamor që zotëron. Si shkëmbim ajo do të marrë 50 mijë ton naftë për karburant si dhe një sasi tjetër prej 950 tonësh karburant pasi të ketë ndërmarrë hapa për çmontimin e përhershëm të objekteve të saj bërthamore.

I dërguari amerikan në bisedime, Ndihmës-Sekretari i Shtetit Christopher Hill dhe Shtëpia e Bardhë e quajtën marrëveshjen një hap të rëndësishëm por theksuan se ky është vetëm fillimi i procesit të çarmatimit. Në të kaluarën, Peniani nuk i ka respektuar marrëveshje të tilla.

Pak orë pas publikimit të marrëveshjes, agjencia e lajmeve Asociated Pres citonte agjencinë shtetërore të Koresë së Veriut, sipas së cilës marrëveshja përbën vetëm një pezullim të përkohshëm të objekteve bërthamore.

Në shtator 2005, Korea e Veriut premtoi të fillonte eliminimin e armatimit të saj bërthamor. Por menjëherë pas kësaj ajo i bojkotoi bisedimet gjashëpalëshe për më tepër se një vit kur Uashingtoni vendosi sanksione ndaj pasurive të saj jashtë vendit. //ii

XS
SM
MD
LG