Lidhje

Plumbat e kauçukut, shkaktarë të vdekjes së protestuesve në Kosovë


Dy të vrarët në protestat e së shtunës, Arben Xheladini i cili u varros dje në Prishtinë dhe Mon Balaj i cili u varros sot në Podujevë, kanë vdekur nga pasojat e plagëve të marra nga plumbat e kauçukut të cilët janë përdorur nga policia gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestuesit. Kështu është bërë e ditur nga Komisari i policisë së Kombeve të Bashkuara Stephan Curtis i cili publikoi rezultatet e para të hetimeve për ngjarjet e së shtunës që lanë pas vetes dy të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

“Të dy personat kanë vdekur nga pasojat e goditjeve të plumbave të kauçukut në kokë”, tha zoti Curtis.

Ai premtoi hetime të hollësishme të rrethanave në të cilat kanë pësuar protestuesit si dhe rreth veprimeve të lëvizjes Vetëvendosja, e cila ishte organizatore e protestave.

Pas takimeve që zhvilloi sot me kryeministrin e Kosovës Agim Çeku dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, zëvendës shefi i UNMIK-ut Steven Shook, tha se do të bëhet gjithë çfarë është e mundur që të sqarohen deri në fund zhvillimet siç tha ai tragjike të së shtunës, duke shprehur dhembjen për humbjen e dy jetëve. Hetimet tha zoti Shook, do të shtrihen edhe në përfshirjen e njerëzve nga jashtë Kosovës.

“Jam thellësisht i shqetësuar me rekrutimin e njerëzve jashtë Kosovës për të marrë pjesë në protestat e së shtunës, Dhe ju siguroj se nuk do të lihet gurë pa lëvizur për të sqaruar çfarë kanë bërë pse e kanë bërë dhe qëllimet pse e bënë këtë”, tha zoti Shook.

Ndërkohë, Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj, vëllai i kryetarit të kësaj partie Ramush Haradinaj, në një deklaratë për opinion ka theksuar se siç thuhet, kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi u ka thënë zyrtarëve ndërkombëtarë se Daut Haradinaj ka ndihmuar organizimin e protestës më 10 shkurt duke sjellë protestues nga Maqedonia. Zoti Haradinaj e ka mohuar këtë, ndërsa zoti Thaçi nuk deshi të komentojë një gjë të tillë.

Duke mos dashur të merrem me komentimet e askujt, Steven Schook e tha qartë se në Kosovë ka ndodhur tragjedi dhe është koha që të gjithë të investojmë në bashkëpunim, në unitet, në bashkimin e energjive tona pozitive, jo me atakime të ndërsjella si pozitë- opozitë, por të kemi sukses të përbashkët”, tha zoti Thaçi.

Zoti Shook kërkoi që të gjitha palët të tregohen të përgjegjshme dhe të presin përfundimin e hetimeve, duke mos sjellë përfundime të parakohshme në këtë periudhë me rëndësi thelbësore për Kosovën.

“Nuk është koha që në Kosovë të ketë demonstrata të dhunshme”, tha zoti Shook, duke, nënvizuar se ajo është në një proces vendimtar dhe bota po ndjek me vëmendje reagimet në Kosovë". //kk//

XS
SM
MD
LG