Lidhje

SHBA: Ligjvënësit debatojnë rezolutën kundër planit të Presidentit


Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan filloi debatin e parë madhor mbi strategjinë e Presidentit Bush që kur demokratët morën nën kontroll Kongresin në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar. Ligjvënësit filluan dje ditën e parë të debatit mbi një rezolutë pa fuqi ligjore, e cila shpreh kundërshtim ndaj vendimit të Presidentit për të dërguar trupa shtesë në Irak:

Demokratët kanë hapur një debat të gjerë lidhur me politikat e Presidentit në Irak, dhe shtojnë se republikanët e shmangën këtë debat gjatë kohës kur kishin nën kontroll Kongresin.

Rezoluta e paraqitur nga demokratët shpreh kundërshtim ndaj planit për të dërguar trupa shtesë, dhe thekson se Kongresi dhe populli amerikan do të vazhdojnë të mbështesin dhe mbrojnë trupat amerikane që shërbejnë ose kanë shërbyer në Irak.

Nancy Pelosi është kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve: "Në frymën e përgjegjësisë për trupat tanë dhe të patriotizmit të përbashkët, të shqyrtojmë nëse propozimi i Presidentit për shtimin e pranisë ushtarake do ta ulë dhunën në Irak dhe do të kthejë trupat në atdhe shëndoshë e mirë së shpejti."

Udhëheqësi i pakicës në Kongres, John Boehner thotë se rezoluta është kritikë ndaj misionit të trupave amerikane dhe e përshkruan debatin si një zgjedhje ndërmjet fitores apo disfatës në Irak apo luftës së përgjithshme kundër terrorizmit.

"Shumë nga miqtë e mi nga kahu tjetër politik mendojnë se pikërisht këtë duhet të bëjmë, të tërhiqemi. Kjo rezolutë pa fuqi ligjore është hapi i parë drejt braktisjes së Irakut duhe prerë fondet për trupat tanë, që ndeshen me rrezikun."

Në përgjigje të këtyre komenteve udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Steny Hoyer thotë se amerikanët duhet ta kenë të qartë se demokratët nuk mbështesin asnjë veprim që sjell si rezultat vënien e trupave amerikane para rrezikut: "Republikanët po përpiqen të theksojnë argumentin se ky plan është pjesë e luftës kundër terrorizmit. Ta kemi të qartë se demokratët janë plotësisht të angazhuar për të fituar luftën kundër atyre që përdorin akte terroriste për të dëmtuar njerëzit tanë dhe për të vënë në rrezik vendin tonë."

Por udhëheqja demokrate kërkon metoda të detajuara për të ndjekur sesi fondi prej 93 miliard dollarësh që Presidenti Bush ka kërkuar për Irakun dhe Afganistanin do të përmbushë kërkesa specifike të ushtrisë për sa i përket stërvitjes dhe pajisjes së njësive luftarake.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi me sa duket e kishte fjalën tek kjo kërkesë, kur tha se duke shprehur kundërshtimin e tyre në votimin e së premtes, ligjvënësit do të përgatisin terrenin për projekt-ligje të tjera lidhur me Irakun.

Demokratët, të cilët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, shpresojnë se do të tërheqin nga vetja edhe 25 e ndoshta deri në 60 republikanë për të mbështetur rezolutën.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Tony Snow u duk se aludoi që Shtëpia e Bardhë po përgatitet për betejat e ardhshme legjislative. Debati në Dhomën e Përfaqësuesve zhvillohet ndërkohë që një anketë e re tregon se 63 për qind e amerikanëve duan që të gjithë trupat të kthehen në atdhe brenda vitit 2008. //ad//

XS
SM
MD
LG