Lidhje

Ryker shkarkon shefin e policisë ndërkombëtare në Kosovë

  • Linda Karadaku-Ndou

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Joakim Ryker, shkarkoi sot komisionerin ndërkombëtar të policisë Stiven Kurtis, pas protestës së të shtunës, gjatë së cilës dy persona humbën jetën.

“I kam kërkuar komisionerit të policisë Stiven Kurtis, që të japë dorëheqjen nga posti i tij. Dorëheqja e komisionerit të policisë nuk paragjykon hetimet që po vazhdojnë për dy personat që vdiqën të shtunën. Fakti që kam kërkuar dorëheqjen e tij, është në kuadër të parimeve dhe përgjegjësisë politike. Hetimet do të vazhdojnë. Dua të siguroj që hetimet do të bëhen në një mënyrë plotësisht transparente. Kam kërkuar që hetimi të drejtohet nga një prokuror i posaçëm nga departamenti i drejtësisë”.

Zëvëndës-komisioneri ndërkombëtar i policisë, Trygve Kalleberg, njoftoi gjithashtu se një hetim profesional dhe i paanshëm do të zhvillohet nga policia ndërkombëtare.

“Kam vendosur të krijoj një grup të posaçëm hetimor brenda njësisë që merret me hetimin e krimeve në policinë e UNMIK-ut. Ky grup do të përbëhet nga hetues ndërkombëtarë, asnjë prej tyre nuk ka qenë i përzier me demostratën. Nga ana e policisë së Kosovës, në të, ka vetëm oficerë policie, që punojnë në njësitin e krimeve, që nuk janë përzier me demostratën, që do të jenë të përfshirë në hetimin në vazhdim”.

Policia ndërkombëtare nuk ka dhënë ende përgjigje për një sërë çështjesh, si për përdorimin e llojit të plumbave plastikë për të cilat mendohet se janë të ndaluar nga konventa e Gjenevës shumë vite më parë, për vendin ku janë qëlluar viktimat, që sipas disa dëshmitarëve, ka qënë larg vendit të protestës.

Zoti Kalleberg tha se të gjitha këto janë pjesë e hetimeve në vazhdim e sipër.

Njësi të KFOR-it kanë mbështetur policinë gjatë protestës së të shtunës. Një burim i besueshëm i paqeruajtësve, i tha Zërit të Amerikës, se paqeruajtësit nuk kanë qenë të pajisur me plumba plastikë.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu, theksoi sot se hetimet do të tregojnë se sa është respektuar ligji.

“Një proces të mëtejshëm, të kemi një respektim të plotë të ligjit nga të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe nga institucionet, edhe nga ata që në një formë apo në një tjetër, janë thirrur të ruajnë, të mbrojnë, dhe të zbatojnë ligjin në këtë drejtim”.

Gjatë protestës të së shtunës, të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, dy persona morën plagë vdekjeprurëse nga plumbat e gomës, dhe vdiqën më pas në spital, dy të tjerë vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë dhe më shumë se 80 persona kërkuan ndihmë mjeksore. Albin Kurti, udhëheqësi i kësaj lëvizje dhe disa anëtarë të tjerë të saj, janë arrestuar nga policia. //ze//

XS
SM
MD
LG