Lidhje

Walker: Plani i Ahtisarit, me të gjitha dimensionet e pavarësisë


Ambasadori William Walker, ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së, gjatë luftës në Kosovë, thotë se hetimi i ndërmarrë nga kryeadministratori Joakim Ryker për shtypjen e protestave të lëvizjes Vetvendosje është vendimi i duhur, që tregon se zbatimi i ligjit është shumë i rëndësishëm edhe kur bëhet fjalë për veprimet e policisë. Zotin Walker thotë se planin i zotit Ahtisari ka të gjitha dimensionet e pavarësisë.

Zëri i Amerikës: Protestat kundër propozimit të zotit Ahtisari kanë krijuar një dinamikë të re në Kosovë. Si e shikoni ju situatën e krijuar?

William Walker: Si gjithmonë mund të ketë rezultate pozitive që vijnë nga ngjarje negative, ose vazhdim të këtyre të fundit. Është shenjë e mirë që shefi i policisë dhe Ministri i Brendshëm dhanë dorëheqjen. Mendoj se zoti Ryker po bën atë që duhet duke ndërmarrë një hetim për ngjarjen. Në se hetimi do të jetë serioz, në se analizohen urdhërat që kishte policia kur u konfrontuan me protestuesit, në se tregohet se ligji vërtet zbatohet edhe kur ai përfshin policinë, kjo mund të jetë pozitive. Është për të ardhur keq kur vdesin njerëz, veçanërisht në rastin kur këto vdekje shkaktohen nga policia. Shpresoj që diçka e mirë që dalë prej këtyre trazirave. Shpreh keqardhje për familjet e viktimave dhe në të njëjtën kohë e kuptoj irritimin e demonstruesve. Në se UNMIKu dhe Kombet e Bashkuara e menaxhojnë si duhet situatën, mund të dalin rezultate pozitive.

Zëri i Amerikës: Propozimi i zotit Ahtisari për statusin e Kosovës po debatohet nga shumë analistë dhe udhëheqës politikë. Në qendër të këtij debati është fakti se plani, siç është paraqitur deri tani, nuk ka qartësi për pavarësinë e Kosovës. Si e shihni ju këtë propozim?

William Walker: Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ajo që është bërë publike deri tani, është vetëm një pjesë e raportit të Ahtisarit. Ato që kemi parë deri tani janë shtojca dhe hollësi të raportit. Propozimi për statusin politik ende nuk është bërë publik. Por kur të shohim përshkrimin e përgjithshëm të situatës, të asaj të kaluar dhe mundësitë për të ardhmen, do të shohim se zoti Ahtisari ka bërë një punë shumë të mirë. Ka shumë shqetësime për atë pjesë që është bërë publike deri tani, pasi aty nuk përmendet pavarësia, por të gjitha dimensionet e pavarësisë janë shprehur qartësisht. Kam shumë besim se kur plani përfundimtar i zotit Ahtisari të shkojë në Këshillin e Sigurimit, populli i Kosovës do të shohë se vërtet nuk është 100 përqind ajo që dëshironte, por është shumë pranë saj.

Zëri i Amerikës: Çfarë skenarësh parashikoni ju kur propozimi i zotit Ahtisari të arrijë në Këshillin e Sigurimit?

William Walker: Kjo është pyetje e vështirë. Shumë deklarata janë bërë nga qeveria amerikane, nga disa anëtarë të Bashkimit Evropian dhe nga Rusia. Komentet e Rusisë deri tani të bëjnë të besosh se do të jetë e vështirë që Moska të votojë në favor të asaj që do të propozojë zoti Ahtisari. Të tjerë thonë se Rusia po mban këtë qëndrim për të ndihmuar miqtë e saj në Beograd. Mirëpo edhe vetë në Beograd mendoj se njerëzit besojnë se ajo që po vjen nuk mund të ndalet. Por asnjë nuk e di si do të jetë procesi në Këshillin e Sigurimit. Të gjithë po përpiqen që plani që do të paraqitet të jetë sa më pak i dhimbshëm. Por është e vështirë t’i përgjigjem pyetjes suaj në këtë moment. E gjitha do të varet nga forma që do të marrë propozimi kur të arrijë në Këshillin e Sigurimit, negociatat në vetë Këshillin e Sigurimit, dhe çfarë do të thonë disa nga vendet jo të përheshme të tij. Mendoj se përshkrimi i situatës nga zoti Ahtisari do të jetë kaq i përpiktë rreth historisë të së kaluarës dhe të tashmes, saqë shumë nga anëtarët do të shohin zgjuarësinë e rekomandimit të Ahtisarit.

Zëri i Amerikës: Plani i Ahtisarit për decentralizimin shihet nga shumë si një plan që u jep shumë kompetenca pakicës serbe, duke krijuar një ndarje. Komenti juaj?

William Walker: Edhe unë jam dakort me këtë analizë. Në se mundohesh të krijosh një Kosovë të bashkuar, pas shpalljes së pavarësisë, apo pavarësisë së kushtëzuar, atëherë duhet të përpiqesh t’i bashkosh komunitetet e jo të krijosh enklava, bazuar në ndarjet etnike. Ky ka qënë problem edhe në të kaluarën. Të gjithë e identifikojnë veten; shqiptarë, serbë, romë. Kjo nuk ka kuptim në se përpiqesh të bashkosh komunitetet. E kuptoj racionalitetin e planit të enklavave për të ardhmen e afërt. Por në se u jep kompetenca të tepërta, ose kompetenca të përhershme, atëherë si mund t’i bashkosh këto grupe, si një popullësi e vetme kosovare. Do të doja që njerëzit të thonë se janë kosovarë, dhe jo serb nga pjesa serbe e Mitrovicës apo diçka tjetër. Mënyra më e mirë për të bashkuar grupet është të mos ketë enklava.

Zëri i Amerikës: Ju ishit në Kosovë muajin e kaluar në përvjetorin e masakrës së Raçakut. Çfarë fryme ndjehet në Kosovë për të ardhmen?

William Walker: Më la mbresë të thellë fakti që aq shumë njerëz mbajnë mend atë që ndodhi tetë vjet më parë. Erdhën ndoshta 5 apo 6 mijë njerëz në një ditë shumë të ftohtë janari. Nuk pashë ndjenja armiqësore, megjithëse shqiptarët përdorin fjalën martirë për ata që u vranë. Atmosfera ishte solemne por jo e tensionuar. Ndjehet fryma e lirës, një ndjenjë që sigurisht nuk ishte aty në 1999. Pra një atmosferë shumë ndryshe dhe mjaft pozitive. //rd//

XS
SM
MD
LG