Lidhje

Skiefer: Dhuna nuk është përgjigje për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha sot në Prishtinë se dhuna është e palejueshme dhe nuk mund të jetë mjet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pas takimeve me zyrtarët më të lartë vendas e ndërkombëtarë në Prishtinë, ai tha se ngjarjet e së shtunës që lanë pas vetes dy të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nuk është dashur të ndodhin.

Dy jetë të humbura janë shumë për Kosovën e cila nuk ka nevojë për më shumë viktima. Dhuna tha ai nuk duhet të ketë vend në Kosovë… “KFOR-i nuk do të tolerojë ata njerëz që mendojnë së dhuna është përgjigje për zgjidhjen e çështjeve që janë në tryezë, për të zgjidhur të ardhmen e Kosovës”, tha zoti Scheffer, duke nënvizuar se “dihet kush ka menduar se çështja e Kosovës mund të zgjidhet me dhunë, spastrime etnike, vrasje e dhunime. Ai ishte Sllobodan Millosheviç”. KFOR-i është këtu për të parandaluar ata njerëz që mendojnë së dhuna është zgjidhje, tha ai, ndërsa theksoi se nuk di të ketë pasur pjesëmarrje nga jashtë Kosovës në protestat e së shtunës, por do të ishte gabim për këdo qoftë që të nxisë dhunë.

Zoti Scheffer tha se procesi i drejtuar nga krye negociatori Martti Ahtisaari i cili nesër do të njoftojë NATO-n me propozimin e tij për statusin e Kosovës, nuk ka alternativë dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të angazhohen në këtë proces. Ai tha se së shpejti do të vizitojë Beogradin ku dje parlamenti serb hodhi poshtë propozimin e zotit Ahtisaari, për t’u bërë thirrje zyrtarëve të atjeshëm që të punojnë në mënyrë konstruktive, sepse nuk ka zgjidhje tjetër.

Zoti Scheffer i cili pasdite ka qëndruar edhe në pjesën veriore të Kosovës për të takuar përfaqësuesit politikë serbë, tha se çështja e Kosovës do të zgjidhet mbi parimet e vendosura nga Grupi i Kontaktit. “Parim është tërësia tokësore e Kosovës. Nuk do të ketë ndarje dhe njerëzit që duan të punojnë për ndarjen do të kuptojnë se kjo nuk është zgjidhje dhe nuk do të jetë kurrë e tillë”, tha zoti Sheffer. Ai tha se nuk do të ketë zvogëlim të trupave të KFOR-it sepse në këtë periudhë të rëndësishme dhe mjaft të ndjeshme ka nevojë për prani të fuqishme, prani e cila do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. NATO-ja ishte e mirëpritur në Kosovë tha ai, i bindur se e tillë do të mbetet edhe në të ardhmen. //rd//

XS
SM
MD
LG