Lidhje

Epokë e re në Kombet e Bashkuara: Ban Ki Mun premton reforma


Koreanojugori Ban Ki-moon, u bë muajin kaluar sekretari i tetë i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Zoti Ban është tani në krye të një organizate, që gjatë viteve të fundit ka kaluar nëpër disa skandale, por që gjerësisht konsiderohet si e pazëvendësueshme në një botë gjithnjë e më të ndërvarur. Korrespondenti ynë, Peter Heinlein, i hedh një vështrim organizatës borëtore dhe udhëheqjes së saj në fillim të mandatit të zotit Ban.

Zoti Ban ka premtuar reforma në OKB. Nën drejtimin e para-ardhësit të tij, Kofi Annan, OKB-ja është akuzuar si e paefektshme, jofunksionale dhe, në disa raste, e korruptuar. “Unë do të përpiqem të vendos standartet më të larta etike. Emri i mirë i Kombeve të Bashkuara është një nga vlerat më të mëdha, por edhe më të pambrojtura”, tha zoti Ban në fjalimin me rastin e marrjes së detyrës. Megjithëse imazhi i organizatës u dëmtua disi gjatë drejtimit të zotit Annan, ndikimi dhe shtrirja e saj u rrit.

Nga fundi i mandatit dhjetëvjeçar të zotit Annan,OKB-ja luajti rol udhëheqës në misione paqeruajtëse dhe të ndihmave në raste fatkeqësish. Për më tepër - karizmatik dhe energjik - zoti Annan e ngriti emrin e organizatës. Ai konsiderohej si një lloj i veçantë kryediplomati botëror që ndërmjetësonte në mosmarrëveshjet ndërkombëtare dhe vendoste norma globale. Por zoti Ban tha se do të ndiqte një rrugë të ndryshme: të premtonte më pak dhe të jepte më shumë rezultate. “ Duhet të jemi më modestë në fjalët tona, por jo në veprimtari. Masa e vërtetë e suksesit për OKB-në, nuk është sa premtojmë, por sa realizojmë për ata që kanë më shumë nevojë për ne”, tha zoti Ban.

Disa diplomatë e kosideruan këtë koment si kritikë për zotin Annan. Lee Fienstein, vëzhgues i kahershëm i Kombeve të Bashkuara, thotë se zoti Ban është më pak i prirur “të vendosë norma dhe të jetë ndërmjetës”, me një stil më shumë prej administratori. Objektiv i tij i parë u bë burokracia e vjetëruar e OKB-së.

Duke vepruar me shpejtësi, u kërkoi të gjithë drejtuesve kryesorë të sektorëve të jepnin dorëheqje. Pastaj i paraqiti Asamblesë së Përgjithshme një plan për ristrukturimin e departamentit më masiv, atij të misioneve paqeruajtëse. Ai tha se do të priste deri në miratimin e planit të tij për plotësimin e posteve të larta drejtuese me shefa të rinj. Kjo e vë atë në mes të një grindjeje të fortë ndërmjet vendeve që kontribuojnë më shumë në buxhetin e OKB-së, dhe vendeve të varfra që kanë shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme.

Vendet e pasura e konsiderojnë aftësinë e zotit Ban për të kryer reforma burokratike si një provë e efektshmërisë së tij. Por ky plan ristrukturues ka zemëruar shumë vende në zhvillim, që i kosiderojnë reformat si një rrugë për të hequr nga duart e tyre atë pak pushtet që kanë, për të ndikuar në politikat e Kombeve të Bashkuara. Ata kanë kërcënuar ta vonojnë planin pa afat, duke shfrytëzuar një strategji zvarritjeje pa fund.

Ambasadori i Izraelit pranë OKB-së, Dan Gillerman, e quajti reagimin e vendeve të botës në zhvillim si kujtesë e realitetit për sekretarin e përgjithshëm. “Ndryshimet në OKB kërkojnë shumë negociata e kompromise dhe propozimet që shtrohen, ndryshojnë krejtësisht pas ndryshimeve të bëra me ndërhyrjet e sejcilit. Kjo vetëm se tregon që Ban Ki-moon, për të clin kam respekt të madh dhe i cili është përgatitur me skrupolozitet, ndoshta në këto momente po e kupton se ndryshimet janë tepër të vështira”. Vëzhguesit bien dakord që kujdesi do të jetë një nga virtytet e epokës së Ban Ki-moonit në OKB. Për shkak të kundërshtimeve kokëforta ndaj reformës dhe kompleksitetit të zonave të tensionuara si Darfuri apo Koreja e Veriut, ndryshimet, edhe nëse ndodhin, pritet të jenë të ngadalshme e graduale. //rd//

XS
SM
MD
LG