Lidhje

Ahtisari: Nuk do të ketë zvarritje të mëtejshme për statusin e Kosovës


I dërguari i OKB-së për Kosovën Marti Ahtisari, tha sot se procesi për statusin përfundimtar të Kosovës nuk do të ketë zvarritje të mëtejshme.

"Pas tetë vjetësh që UNMIKU është në Kosovë, tani çështja e statusit duket se do të zgjidhet. Ky është një ndryshim i madh që krijon një atmosferë krejt tjetër". - tha ai.

Këto komente ai i bëri sot në Bruksel pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos Jaap de Hup Sheffer. Javën e ardhme në Vjenë fillon një raund i fundit bisedimesh për statusin e Kosovës.

Zoti Ahtisari, i cili më parë ka thënë se nuk beson se një kompromis do të jetë i mundshëm, theksoi sot se gjithsesi ai nuk mund ta shtyjë procesin pafundësisht. Raundi i ri i bisedimeve pritet të mbyllet më 10 mars.

"Plani i paraqitur për Kosovës, - tha zoti Ahtisari, - në dy-të-tretat e tij, parashikon garanci dhe të drejta për pakicat në Kosovë."

Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jaap de Hup Sheffer ritheksoi mbështetjen e plotë të Natos për planin e zotit Ahtisari si dhe për afatet që ai ka parashikuar për zgjidhjen e statusit.

"Ka unitet për propozimet si dhe për afatin që ka parashikuiar zoti Ahtisari për gjetjen e zgjidhjes", tha ai.

Zoti Sheffer përsëriti mesazhin që kishte përcjellë dje gjatë vizitës në Prishtinë, se dhuna nuk është mjeti për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se trupat e Natos në Kosovë nuk do të tolerojnë asnjë lloj dhune.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos thekoi gjithashtu se ndarja e Kosovës nuk është alternativë. Ndërkaq, mediat ruse citojnë sot ministrin e jashtëm Sergej Lavrov, sipas të cilit dhënia e pavarësisë Kosovës do të kishte pasoja tepër negative për rajonin dhe për pjesën tjetër të Evropës.//lk

XS
SM
MD
LG