Lidhje

Tiranë: Mitingjet përmbyllëse - garë politike dhe spektakli


Mitingjet zhvilluara sot pasdite nuk ishin vetëm një garë politike por edhe një garë spektakli, efektesh dhe dritash. Qielli i qendrës së kryeqytetit u ndriçua, kur të dyja manifestimet u mbyllën, thuajse njëkohsisht, nën shpërthimet e fishekzjarreve të shumtë.

E djathta ishte mbledhur në sheshin Skënderbej, ku simpatizantët e saj u detyruan të presin për një kohë të gjatë udhëheqësin e tyre, kryeministrin Sali Berisha i cili po kthehej nga një tjetër takim në Kavajë.

Me vonesë nisi edhe takimi i të majtëve gjë e cila solli për koincidencë që zoti Berisha dhe kryetari socialist Edi Rama, njëkohësisht dhe kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës të mbanin fjalimet e tyre thuajse në të njejtën kohe.

Fjalimet ngjanin si të ishin replika në distancë ndaj njëri tjetrit. Kryeministri Sali Berisha, në krah të të cilit ishte kandidati i së djahtës për Tiranën, Sokol Olldashi, u shpreh i sigurtë për fitoren më 18 shkurt:

“18 shkurti ësht fitorja e Tiranës, fitorja e mbarë Shqipërisë. Qytetarët të Tranës dhe mbarë Shqipërisë sot nga ky shesh, kryesheshi i vendit e i kombit ju dërgoni në çdo votër shqiptare në çdo zemër mesazhin e fitores, të vazhdojmë së bashku është thirrja juaj qytetare” - tha ai.

Ndërsa zoti Rama, u shpreh se është detyrë e opozitës të ndryshojë rrjedhat e vendit:

“Ne sot jemi të gjithë përgjegjës për ti dhënë ndryshimit jetë nga jeta jonë e për ta bërë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, vendin ku çdo shqiptar të thotë po ky është vendi ku unë dua të jetoj! Për ne nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa të lëmë pas një Tiranë e një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë dhe fëmijët e kundërshtarëve tanë.”-tha ai.

Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha përsëriti angazhimin për realizmin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me anë të të cilave sipas tij, zoti Rama do të largohej nga kryeqytetit:

"Vota e lirë është margaritari, është drita e fitores sonë të madhe. Edvin, më 20 shkurt, 16 vjet më parë përmbysëm bustin e diktatorit, më 18 shkurt ti që kalove rininë duke lustruar bustet e tij do largohesh nga Bashkia, do largohesh nga qyteti, do shkosh në Pezë”-

Për kryetarin socialist, vota e 18 shkurtit ishte votë për të ardhmen e vendit:

"Duke votuar për botën tonë pa armiq pa urrejtje pa kërcënime, pa shpifje pa fyerje dhe kundër botës së sundimit personal të klaneve tribale në krye të Shqipërisë dhe të komunave të shantazheve dhe të denigimrit të do shqiptari që nuk rri gatitu përpara pushtetit të një njeriu të vetem, një njeriu tjetër, një njeriu që i përket të shkuarës. Në 18 shkurt ju do të kërkoni dhe mbroni çdo votë për të ardhmen e këtij vendi”.

Që prej ditës së nesërme, partitë politike dhe kandidatët e tyre doi të jenë në pritje të vendimit që qytetarët do të marrin më 18 shkurt me votën e tyre.//lk

XS
SM
MD
LG