Lidhje

Të rinj serbë në Kosovë të shqetësuar nga propozimi i Ahtisaarit


Më 2 shkurt i dërguari i OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari, u dorëzoi propozimin e tij për Kosovën, Prishtinës dhe Beogradit. Nëse zbatohet, besohet gjerësisht se ky plan mund të çojë në pavarësinë e Kosovës, duke lejuar një shkallë të konsiderueshme vetëqeverisjeje në rajonet e banuara nga pakicat serbe. Në pjesën e Mitrovicës të banuar nga serbët, studentët ndjehen të pasigurtë dhe i frikësohen së ardhmes.

Kosova është një shoqëri e ndarë. Në pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar nga serbët, kur blen kafe me monedhën euro, që përdoret edhe në jugun e Mitrovicës, kusurin ta kthejnë në dinarë. Bojan Vasiç është student 22-vjeçar në Universitetin e Gjuhës Serbe të Mitrovicës. Ai është i shqetësuar për të ardhmen. “Është me të vërtetë e pamundur të parashikosh se ç’do të ndodhë në të ardhmen. Shpresoj të gjendet një lloj kompromisi. Jam i sigurtë se një zgjidhje kompromisi mund të sjellë qëndrueshëri afatgjatë, e cila është shumë e nevojshme në mbarë rajonin."

Rreth gjysma e 100 mijë banorëve serbë të Kosovës jetojnë në Mitrovicë dhe në rajonet përreth. Universiteti dhe spitalet janë baza e vetme ekonomike në një qytet, ku rreth gjysma e punonjësve janë të papunë. “Ky është i ashtuquajturi sheshi Sumadia, i vetmi shesh në këtë pjesë të qytetit,” thotë i riu Vasiç.

Ai ka jetuar gjithë jetë pranë këtij sheshi. Ai thotë se i vjen keq që qyteti është i ndarë dhe për humbjen e karakterit të tij shumë-etnik. Ai nuk ka guxuar ta kalojë lumin për tre vjet. “Isha atje me një mikun tim, ai është shqiptar dhe për pak sa nuk na rrahën. Që nga ajo kohë, nuk kam qenë më atje dhe mendoj se për serbët nuk është aspak e sigurtë të shkojnë”.

Ashtu sikurse Vasiç, Vuk Mitroviç është student i juridikut. Ai vjen nga Mali i Zi. Edhe ai ndjen pasiguri për të ardhmen. Dhoma e tij e konviktit në Mitrovicë e kujton për një vizitë si student në Shtetet e Bashkuara, disa vjet më parë. Të dy studentët, ndjehen përkohësisht mirë në Mitrovicë por ata i zë frika të mendojnë për pavarësinë e Kosovës.

Mitroviç thotë se serbët duhet të qëndrojnë në Kosovë, për arsye se për ta ajo është vend i shenjtë. Vasiç thotë se për të do të ishte panik, në se një ditë serbët do t’i largojnë me forca nga Kosova. “Nëse gjendet një zgjidhje, e cila nuk do të ishte kompromisi, atëhere do të kishim festë për njërën palë dhe panik e pakënaqësi për palën tjetër. Pastaj, ndoshta edhe fatkeqësi, njerëzit do të detyrohen të largohen me karvanë autobuzësh”.

I dërguari i OKB-së Ahtisari, ka qenë në Mitrovicë dhe ai do që pakica serbe të qëndrojë atje. Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë mbi propozimin e statusit të Kosovës në muajin prill. //ad//

XS
SM
MD
LG