Lidhje

Theksohet imazhi negativ për Shtetet e Bashkuara në botën arabe


Sipas sondazhve të fundit të opinionit ndërkombëtar, qëndrimi ndaj Shteteve të Bashkuara po bëhet gjithmonë e më negativ te popujt e Lindjes së Mesme dhe në vende të tjera të botës. Ekspertët pajtohen me mendimin se lufta në Irak është një nga arsyet kryesore për këtë ndyshim të qëndrimit, por nuk pajtohen me mënyrat për të përmbysur këtë efekt negativ. Disa besojnë se zgjidhja do të ishte ndryshimi i politikës, ndërsa të tjerë theksojnë nevojën e intensifikimit së dilpomacisë amerikane.

Shërbimi Botëror i BBC-së zhvilloi një sondazh kohët e fundit duke anketuar 26 mijë vetë nga 25 vende të ndryshme, kryesisht jo arabe. Sipas këtij sondazhi vetëm 29 përqind të të anketuarve besojnë se Shtetet e Bashkuara përhapin një influencë pozitive në botë. Kjo shifër ishte 36 % 1 vit më parë dhe 40 % 2 vjet më parë.

Kur u pyetën për praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, një mesatare prej 68 % nga të 25 vendet, u përgjigjën se prania ushtarake amerikane shkakton më shumë konflikte sesa i parandalon ato. Alberto Fernandez, drejtor i zyrës së shtypit dhe diplomacisë publike pranë Departamentit të Shtetit, thotë: “Lufta në Irak shkakton pakënaqësi të madhe në shumë vende dhe gjithashtu në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bush tha se situata në Irak është e papranueshme dhe unë mendoj se ky është shkaku kryesor i pakënaqësisë,” thotë zyrtari i Departamentit të Shtetit.

Lidhur me faktin që lufta në Irak mbizotëron mendimin e njerëzve për Shtetet e Bashkuara, Xhon Zogbi, presidenti i një organizate ndërkombëtare sondazhi, shpjegon: “Diplomacia sonë publike tani për tani është kryesisht lufta, lufta në Irak. Kjo së bashku me dështimin, ka nxjerrë njërën prej cilësive më të këqija që njerëzit në vendt e tjera shikojnë tek Amerika – diplomacinë e tipit kauboj, nocionin e një parandorie amerikane, e kështu me radhë,” thotë analisti.

Megjithë negativitetin në rritje në perceptimin e publikut për Shtetet e Bashkuara thotë zoti Zogbi, ka ende shenja pozitive. Ai thekson se Shtetet e Bashkuara janë ende burim admirimi për shumë njerëz, për demokracinë, teknologjinë, shkencën dhe kulturën e tyre. Ai mendon se Shtetet e Bashkuara duhet t’i forcojnë këto cilësi për të përmirësuar imazhin dhe efikasitetin, veçanërisht në rajonin e Lindjes së Mesme të përfshirë nga lufta. “Në radhë të parë duhet të qetësohet situata në Irak dhe në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme. Shtetet e Bashkuara duhet të jenë pjesë ose të udhëheqin një konferencë rajonale për të trajtuar çështjen e Irakut, konfliktin izraelito-palestinez dhe probleme të tjera me të cilat përballet rajoni, përfshirë Libanin. Kjo do të shërbejë si rilindje e diplomacisë.”

Halle Dale, që drejton Qendrën Alison për studime mbi politikën e jashtme, pranë Fondacionit Heritage, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’u kushtojnë vëmendje transmetimeve radiotelevizive për vendet e Lindjes së Mesme. “Nuk mendoj se po bëjmë aq sa mundemi, veçanërisht me audiencën në moshë të re. Ne mund të përdorim kulturën amerikane për t’i tërhequr të rinjtë të dëgjojnë transmetimet tona. Por çështja është: a u dërgojmë ne atyre një mesazh të rëndësishëm që ata ta dëgjojnë? Pikërisht kësaj duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje. Ne duhet të shikojmë gjithashtu se kush e tërheq audiencën në Lindjen e Mesme ku ka shumë mjete informimi,” thotë zonja Dale.

Alberto Fernandez zyrtar i Departamentit të Shtetit për çështjet diplomatike, thotë se Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin hapa më të drejtpërdrejta për të kapur audiencën e Lindjes së Mesme. “Mendoj se në Lindjen e Mesme kemi nevojë për programe radiotelevizive amerikane sa më të efektëshme, kemi nevojë për të angazhuar audiencën kudo që të ndodhet. Për shembull, nëse audiencën e ka rrjeti arab Al-Xhazira, ne duhet të jemi të pranishëm në Al-Xhazira dhe njëkohësisht ta përcjellim mesazhin tonë në mënyrë të drejtpërdrejtë,” thotë zyrtari Fernandez.

Ndërkohë që pranon rëndësinë e përpjekjeve të medias, zoti Zogbi thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përqëndrohen tek komunikimi, deri tani i pakët me popujt e tjerë, për t’u njohur me nevojat dhe ankesat e tyre. Zoti Zogbi shton se amerikanët mund të shpresojnë tek viti 2008, kur presidenti i ri të fillojë përpjekjet për të përmirësuar imazhin e vendit në opinionin botëror. //ad//

XS
SM
MD
LG