Lidhje

SHBA: Analistët diskutojnë mbi zgjedhjet e 26 janarit në Serbi


Të enjten në Washington u zhvillua një diskutim lidhur me zgjedhjet parlamentare të 26 janarit në Serbi: A do të jetë e sukseshme rruga drejt demokracisë dhe integrimit evropian. Këshilltari i lartë i Komisionit të Helsinkit i Kongresit amerikan, Robert Hand dhe profesori i Historisë në Universitetin e Merilandit Xhon Llempi ofruan pikpamjet e tyre mbi këtë çështje.

Këshilltari i lartë i Komisionit të Helsinkit i Kongresit amerikan, Robert Hand i cilësoi zgjedhjet e Serbisë të lira e të drejta, megjithatë, tha ai, këto zgjedhje kishin nevojë për mbikqyrjen e vëzhgusve ndërkombëtarë. Ato ishin zgjedhjet e para që prej shkëputjes së Malit të Zi e miratimit të kushtetutës së re dhe zhvilloheshin në një kohë kritike kur pritej propozimi për statusin e Kosovës.

“Megjithë qetësinë relative gjatë fushatës lidhur me çështjen e Kosovës, tani ne po shikojmë se politikat serbe janë të preokupuara me këtë çështje. Sa më parë që udhëheqësit e Serbisë ta shqyrtojnë këtë çështje me seriozitet aq më mirë do të jetë për zhvillimet demokratike të atij vendi dhe mundësitë drejt integrimit evropian dhe për vetë gjendjen në Kosovë”.

Zoti Hand tha se popullit të Kosovës nuk duhet t’i krijohet përshtypja se zhvillimet politike në Serbi lidhen ngushtë me zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar të shprehet hapur se ç’duhet bërë në nivelin lokal ose atë ndërkombëtar, përpara se propozimi i zotit Ahtisari të miratohet e të zbatohet. Por që popullit të Kosovës t’i krijohet përshtypja se politikat serbe do të përcaktojnë kohën e zgjidhjes së statusit të Kosovës, krijon kushte që njerëzit në Kosovë të protestojnë e ndoshta të përdorin dhunën dhe një praktikë e tillë është veçanërisht e rrezikshme.”

Profesori i Historisë në Universitetin e Merilandit, Xhon Llempi, kritikoi qëndrimin e Beogradit për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me çdo vend që njeh pavarësinë e Kosovës.

“Qëndrimi i Beogradit për të shtyrë krijimit e qeverisë për të vonuar përcaktimin e statusit të Kosovës është i rrezikshëm në se nxit trazira si ato të marsit të vitit 2004 dhe në një shkallë më të vogël të fund javës së kaluar. Por ky qëndrim është më shqetësues në se Beogradi rrezikon perspektivat për fillimin e bisedimeve për marrëveshjen e asocim stabilizimit”.

Nga ana e tij, zoti Hand tha se është e rëndësishme të mos harrohet se mbajtja e zgjedhjeve që përmbushin standartet ndërkombëtare ka qënë një vështirësi e madhe në shumë vende. I pyetur nga Zëri i Zmerikës në se Shqipëria bën pjesë në këto vende, zoti Hand tha se megjithë pakujdesitë dhe vonesat e shumta në përgatitjet për zgjedhjet e 18 shkurtit, nuk ka arsye që Shqipëria të mos zhvillojë zgjedhje të rregullta.

“Një prej shqetësimeve të mia është se këto janë zgjedhje lokale dhe në to duhet të trajtohen çështje lokale. Në zgjedhjet lokale, qytetarët duhet t’u kërkojnë kandidatëve të shpjegojnë se si do të krijojnë mundësi për të ardhmen. Në vend të kësaj, zgjedhjet lokale në Shqipëri shndërohen në një krizë kombëtare dhe shikohen kryesisht si një referendum për partinë në pushtet. Shpresoj që qytetarët e Shqipërisë të votojnë në zgjedhjet e së dielës dhe ta bëjnë këtë në një mënyrë që përmbush normat ndërkombëtare. Pa dyshim që Shqipëria përballet me pengesa që duhen kapërcyer dhe kjo jo vetëm për të mirën e integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por për të mirën e popullit, i cili meriron një qëndrim shumë të mirë nga ana e politikanëve.

Studjuesi pranë Qendrës Woodrow Wilson, Xhon Llampi është dakord me zotin Hand lidhur me kapërcimin e pengesave në Shqipëri, të cilat nuk janë thjeshtë politike.

“Pengesat janë të mëdha jo vetëm në aspektin politik, por në çdo aspekt tjetër. Për shembull, ekziston një farë pakënaqësie me qeverinë e kryeministrit Berisha që shumë premtime të fushatës nuk u zbatuan me rritmin e duhur”.

Të dy analistët janë të mendimit se mbajtja e zgjedhjeve të drejta e të lira kudo në Evropë, qofshin këto në Shqipëri apo Serbi, janë një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e të ardhmes së tyre drejt integrimit evropian. //ze//

XS
SM
MD
LG