Lidhje

Tirana, beteja më e rëndësishme në zgjedhjet vendore


Në Shqipëri nesër do të mbahen zgjedhjet për pushtetin vendor ku do të mund të votojnë afër 2 milion e 900 mijë shqiptarë. Partitë kanë mbyllur tashmë fushatat e tyre elektorale duke bërë thirrje qytetarëve për një pjesmarrje të gjerë në votime. Në garë janë dy kampet kryesore të politikës të cilat do të luftojnë për të marrë drejtimin e qyteteve më të mëdha të vendit. Beteja më e rëndësishme do të jetë ajo për Tiranën, e cila është një garë edhe me një ngarkesë të madhe politike ku përballë kandidatit të së djathtës është kryetari i partisë socialiste, forcës më të madhe të opozitës.

Për muaj të tërë këto zgjedhje mbajtën pezull politikën dhe ushqyen debate të ashpra si asnjëherë më parë. Pas një situate të rëndë krize që vuri në pikëpyetje deri dhe mbajtjen e vetë zgjedhjeve, me ndërhyrjen e fuqishme të komunitetit ndërkombëtar, presidenti Alfred Moisiu mundi të ulte në momentet e fundit partitë politike në një tryezë dhe t’u shkëpuste atyre një marrëveshje.

Ky tension i lartë i dha një ngarkesë të madhe politike ditëve që pasuan dhe gjithë fushatës. Partitë nuk e nënshkruan një kod etike që kreu i shtetit u propozoi atyre duke marrë vetëm angazhime verbale. Sulmet personale me të cilat fushata nisi u duk se parlajmëruan një temeperaturë të lartë, por më pas ato ranë duke ia lënë vendin përplasjeve mbi premtimet elektorale.

Kurba e tensionit politik erdhi në rritje kur për fushatën filloi numërimi mbrapsht. Një seri incidentesh u shënuan në qytete të ndryshme por pa provokuar turbullira të mëtejshme.

Javën e shkuar disa foto nudo të publikuara në disa media shqiptare vunë në qendër të vëmendjes në një debat të rrallë kryetarin socialist Edi Rama. Ndërsa pak ditë më parë, me të do të lidhej edhe ai që do të konsiderohej si incidenti më i rëndë i kësaj fushate. Një shpërthim eksplozivi pas mesnate në qendër të Tiranës, në një lokal ku më parë zoti Rama kishte darkuar së bashku me një grup deputetësh socialist.

Opozita hodhi hije të rënda dyshimi mbi struktrat shtetërore, ndërsa qeveria dhe Ministria e Brendshme, duke e cilësuar atë si një ngjarje të rëndë, la jashtë mundësinë e lidhjes me fushatën zgjedhore duke e spostuar pistën në një konflikt pronësie.

Ngarkesa e madhe politike e këtyre zgjedhjeve u ndikua kryesisht nga fakti se kryetari i Partisë socialiste Edi Rama vendosi të kërkonte një mandat të tretë për bashkinë e Tiranës, duke u bërë kështu protagonist i drejtpërdrejtë i rezultatit të 18 shkurtit. Kryeyqyteti në këtë mënyrë mori një rëndësi të dyfishtë.

Në varësi të fituesit të bashkisë më të madhe të vendit, do të përcaktohen edhe rrjedha të rëndësishme politike në muaj që do të pasojnë. Për të djathtën fitorja e këtyre zgjedhjeve është sprova e parë e mënyrës se si ka qeverisur vendin, ndërsa fitorja e Tiranës do të sillte përfitime indirekte duke provokuar një krizë në gjirin e partisë socialiste.

Kryetari i partisë më të madhe të opozitës me kandidimin e tij vuri në bast karrierën e tij politike. Në rast të një fitoreje ai do të konsolidonte pozitat e tij në krye të asaj force të cilën ai e drejton prej një viti e gjysëm, pas një mbretërimi të gjatë të zotit Fatos Nano. Me një fitore në këto zgjedhje edhe e majta do të forcohej ndjeshëm përballë së djathtës që pas pak muajsh duhet të kalojë një provë të fortë, për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Zgjedhje e cila në mungesë të votave të duhura të së djathtës për të vendosur e vetme, mund ta fusë sërish vendin në një krizë të re. //rd//

XS
SM
MD
LG