Lidhje

Gara gjeopolitike për naftën dhe gazin e Kaukazit


Rajoni i pasur me energji i Kaukazit është në krye të një gare të re gjeopolitike për naftën dhe gazin. Për këtë arsye kjo zonë e trazuar ka rëndësi të madhe si për Rusinë ashtu edhe për Perëndimin.

Shumë analistë thonë se për shkak të naftësjellësve si ky, Kaukazi Jugor është bërë një lojtar i rëndësishëm në një nga problemet më të vështira: si të sigurohet naftë dhe gaz i mjaftueshëm për funksionimin e ekonomive industriale.

Ky rajon kufizon Detin e pasur Kaspik ku gjendet rreth katër për qind e rezervave të naftës dhe 4.6 për qind e gazit natyror të botës. Për këtë arsye po bëhen përpjekje për ndërtimin në Detin Kaspik të sa më shumë platformave të naftës dhe gazit.

Stephen Sestanovich është ekpert i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë në Washington. Ai thotë se në këtë zonë janë të angazhuara tashmë disa shtete. “Çka do të thotë në veri Rusia, në jug Irani. Interesi i Kinës për energji po e bën atë të luajë një rol më të madh në shumë rajone. Shtetet e Bashkuara synojnë që burimet e energjisë të kësaj zone të mund të eksportohen në tregjet botërore pa hasur në bllokimin e Rusisë apo Iranit” thotë eksperti.

Evropa importon 25 për qind të furnizimeve me energji nga Rusia, shifër që mund të arrijë deri në 45 për qind deri në vitin 2030. Stephan Sestanovich thotë se evropianët janë të shqetësuar nga përpjekjet në rritje të Moskës për të diktuar kushtet për energjinë. “Ata ishin shumë të shqetësuar nga përplasja mes Ukrainës dhe Rusisë për furnizimet e gazit dhe për faktin që Rusia arriti deri në pikën sa për një fare kohe e bllokoi fare gazin. Ata u alarmuan edhe më shumë kur Rusia u acarua me Bjellorusinë në janar të këtij viti dhe po ashtu mbylli rubinetin e naftës”.

Evropa shqetësohet gjithashtu për stabilitetin politik të rajonit. “Bëhet fjalë për një zonë ngjitur me kufijtë e Evropës, tani që ajo është zgjeruar, ku ekziston mundësia për dhunë, për luftë”, thotë John Glenn, drejtor i Politikës së Jashtme në Fondin Marshall në Washington. “Bëhet fjalë për katër rajone me zona të përzjera etnikisht që kanë kërkuar më shumë autonomi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ata nuk donin të qëndronin në republikat ku kanë bërë pjesë, nëse ato republika do të ishin të pavarura”.

Një shqetësim tjetër është kontrolli i Rusisë mbi rrjetin e naftësjellësve në pellgun Kaspik. Shumë vende kanë investuar miliarda dollarë për naftësjellësa të rinj. Më 25 maj 2006, Presidentët e Azerbaixhanit, Kazakistanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë përuruan naftësjellësin Baku-Tbilisi-Ceyhan që lidh fushat naftëmbajtëse të rajonit të Detit Kaspik me Detin Mesdhe dhe tregjet perëndimore përtej tij.

Planet janë që naftësjellësi të pompojë një milion fuçi nafte në ditë për 40 vjetët e ardhshëm. Vendet e Perëndimit janë gjithnjë e më të shqetësuara për sigurinë e naftësjellësve të rinj. Është folur madje edhe për mundësinë që NATO-ja të ruajë rrjedhën e naftës dhe gazit kaspik. Por John Glenn thotë se një hap i tillë mund të shkaktonte tension me Rusinë. “Mua më duket një argument i drejtë, por është e vështirë të imagjinohet që Rusia të pranojë pa problem trupa të NATO-s në territorin e vet ose të fqinjëve. Efekti do të ishte njëlloj sikur të vije trupat e NATO-s të ruajnë një kufi”. Megjithatë shumë analistë thonë se vendet e Kaukazit e kanë angazhimin strategjik që të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta me Perëndimin. //rd//

XS
SM
MD
LG