Lidhje

Identifikohet viktima e aksidentit automobilistik, dëshmitar në çështjen Haradinaj


Zyrtarët e policisë malazeze bënë të ditur sot emrin e viktimës së aksidentit automoblistik, që ndodhi dje herët në mëngjes në lagjen rome Konikë në Podgoricë. Ai ishte Kujtim Berisha nga Deçani, i cili pas luftës së Kosovës u vendos si refugjat në Mal të Zi dhe konsiderohet si një ndër dëshmitarët kryesore në gjyqin për krime të luftës kundër ish kryeministrit Ramush Haradinaj.

Aksidenti ndodhi një ditë pas takimit të Kujtim Berishës me disa përfaqësues ndërkombëtarë, ku u diskutua procesi gjyqësor i zotit Haradinaj në Gjykaten e Hagës, ku ish-kryeministri akuzohet se në gusht të vitit 1998 ka torturuar dhe vrarë 2 persona te përkatësisë rome te dyshuar se bashkëpunonin me forcat serbe.

Sipas dëshmisë së të ndjerit Kujtim Berisha, ata janë gjetur të mbytur në liqenin e Radonjiqit. Serbia ka spekuluar se aksidenti ishte inskenuar për të likuiduar dëshmitarin kryesor kundër Haradinajt.

Policia malazeze nuk bëri komente reth këtyre spekulimeve. Ndërkohë personi që shkaktoi aksidentin, 26 vjeçari Aleksandar Ristoviq tha se fatkeqësia ndodhi padashur dhe si pasojë e mosndriçimit të rrugës në atë lagje të Podgoricës. Burime të besueshme thone se do të pritet të shihet nëse vdekja e këtij dëshmitari do të ndikojë në akuzën ndaj zotit Haradinaj.

XS
SM
MD
LG