Lidhje

Shqipëri: Konfiguracion i ri politik pas votimit të së dielës


Dy ditë pas votimit të së dielës, në një pjesë të madhe të vendit, konfiguracioni i ri politik është i qartë. Opozita e majtë duket se ka marrë kontrollin e qyteteve të mëdha të vendit.

Tashmë është i konfirmuar përfundimi i procesit në Vlorë, Berat, Korcë, Lezhë dhe në mëngjes në Durrës, ka rezultuar fitues me një diferencë të ngushtë kandidati socialist. Fitorja e së majtës në këtë qytet përbën një surprizë, pavarësisht se ajo kishte fituar dhe në 2003. Por në 3 korrik të 2005 ky qytet u përfaqësua në parlament vetëm me deputetë demokratë. Duke parë tendencën në Tiranë, Durrësi përfaqëson një humbje domethenese për Partinë Demokratike, nëse i shtojmë këtu edhe qytetin e vogël të Shijakut, i konsideruar si një bastion i së djathtës, aq më tepër që në korrik 2003 nga kjo zonë doli fitues edhe zoti Olldashi.

Nga kryeqendrat e vendit, e djathta ka fituar Shkodren, Kukesin dhe Peshkopine. Ka ende probleme në Elbasan, Fier, dhe Gjirokastër, ndërkohë që incidente të llojeve të ndryshme referohen herë pas here. Diku me konflikte, diku me bllokime të procesit të numërimit. Siç dihet, dje vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se Shqipëria humbi një shans për të realizuar zgjedhje sipas standarteve demokratike.

Për hir të së vërtetës, këtu po piqej ideja se zgjedhjet po shkonin më mirë se më parë, por ngjarjet dhe zhvillimet problematike të procesit post zgjedhor, duket se mbështesin atë vlerësim të vëzhguesve të ODIHR-it.

Duke u kthyer te rezultatet dhe veçanërisht ai në Tiranë, deri rreth orës 20 të mbrëmjes të së martës, kishin mbetur pa u hapur vetëm 10 përqind e qendrave të votimit dhe kryetari socialist, njëkohësisht kandidati i opozitës zoti Edi Rama udhëheq me një diferencë prej mbi 18 mijë votash; ose e thënë në përqindje, 56.04 përqind për zotin Rama dhe 43.78 përqind për zotin Olldashi. Një diferencë prej 12 përqind dhe që gjatë ditës së sotme ka ardhur në rritje, pasi dje ajo luhatje në 8 deri 9 përqind avantazh për zotin Rama; një rezutat, i cili vështirësisht mund të besohet se do përmbyset. Madje edhe kandidati i djathtë zoti Sokol Olldashi duket se e ka pranuar këtë realitet.

Në një deklarim të shkurtër publik, pa bërë asnjë koment mbi rezultatin ai vetëm falenderoi mbështetësit e Partisë Demokratike dhe së djathtës, ata që kishin votuar për të por edhe votuesit e tjerë që sic tha ai kishin votuar ndryshe.

Nga ana tjetër Partia Demokratike sot ka deklaruar, se në total, e ndjen veten fituese të këtyre zgjedhjeve, duke deklaruar se ka fituar mbi 180 komuna nga 308 të tilla dhe 36 bashki nga 67 të tilla në të gjithë vendin.

Një kalkulim i ftohtë matematikor që për shumë vëzhgues të politikës nuk është plotësisht domethënës, në rastin e zgjedhjeve lokale, ku primare mbetet fitorja në qytetet e mëdha e më pas përqindja proporcionale në rang vendi e më pas llogaria e thjeshtë e numrave për njësi të qeverisjes vendore, për faktin se njësitë dallojnë nga njëra dukshëm për nga numri i votuesve e për rrjedhojë, kanë nje peshë specifike të ndryshme.//lk

XS
SM
MD
LG