Lidhje

Gjykata e Lartë amerikane: Jo dëmshpërblim kundër firmës Filip Morris


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë një kërkesë për dëmshpërblim prej 79.5 milionë dollarësh kundër kompanisë së prodhimit të cigareve Filip Morris.

Me pesë vota pro dhe katër kundër, gjykata arriti sot në përfundimin se kompania mund të konsiderohej përgjegjëse vetëm për dëmet ndaj personit që kishte ngritur padinë, por jo ndaj personave të tjerë që pinë duhan.

Në vitin 1999 e veja e një personi që pinte duhan prej kohësh, i cili vdiq nga kanceri në mushkëri fitoi një dëmshpërblim prej 800 mijë dollarësh si kompensim dhe 79.5 milionë dollarë dëmshpërblim si dënim ndaj kompanisë.

Gjykata e Lartë e shtetit të Oregonit e mbajti në fuqi vendimin vitin e kaluar, duke thënë se Filip Morris e dinte se çfarë rreziku paraqiste duhani por nuk e kishte vënë në dijeni publikun. Kompania e apeloi vendimin në gjykatën e lartë amerikane, duke thënë se dëmshpërblimi ndëshkues ishte i tepruar pasi ishte afro 100 herë më i lartë sesa kompensimi.//lk

XS
SM
MD
LG