Lidhje

Shefja e zyrës amerikane dënon shpërthimet në Prishtinë


Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanov, dënoi ashpër sot ata që shkaktuan shpërthimin që dëmtoi makina të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, duke nënvizuar se duhet të jetë e qartë për gjithkënd se dhuna e çdo lloji qoftë, pavarësisht nëse drejtohet kundër organizatave ndërkombëtare, komuniteteve etnike apo grupeve politike, do të rrezikojë, procesin e statusit, duke i shkaktuar kështu dëm të drejtpërdrejtë popullit të Kosovës dhe të ardhmes së tyre.

Zonja Kaidanov tha se në Kosovë nuk ka vend për veprime të tilla. Tri makina të misionit të OKB-së dhe një makinë civile u dëmtuan mbrëmë në një shpërthim në mbrëmje vonë pranë Teatrit Dodona në Prishtinë, në afërsi të qendrës së qytetit. Nuk ka pasur viktima në njerëz dhe nuk njoftohet për ndonjë të dyshimtë të arrestuar.

Policia është duke hetuar incidentin, por nuk ka dhënë shumë hollësi. Veton Elshani, zëdhënës i policisë së Kosovës, i tha Zërit të Amerikës, se ende nuk ka të dhëna për autorët apo motivet e shpërthimit. Shpërthimi u mor përsipër nga një organizatë që e quan veten Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila përmes internetit, u dërgoi mediave në Prishtinë, një komunikatë, në të cilën thuhej se ky shpërthim është në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e 2 protestuesve në protestën e lëvizjes “ Vetëvendosje” dhe plagosjen e më se 80 të tjerëve në 10 shkurt 2007, protestë që sipas kësaj komunikate, kërkoi çuarjen deri në fund të idealeve dhe aspiratave historike të popullit shqiptar, për të cilat u ngrit dhe luftoi U.Ç.K-ja.

Kjo komunikatë, vërtetësia dhe autorësia e së cilës nuk mund të vërtetohej nga burime të pavaruara, thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u riaktivizua mbrëmë me shpërthimin e ndodhur në Prishtinë. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha se policia nuk ka të dhëna për eksistencën e kësaj organizate.

Lëvizja "Vetëvendosje", e cila organizoi protestën e 10 shkurtit, ku humbën jetën 2 demostrues dhe u plagosën dhjetra të tjerë dhe paralajmëroi sot protestën e ardhshme për më 3 mars, e dënoi shpërthimin.

Autoritetet në Kosovë e dënuan shpërthimin e mbrëmshëm, duke e cilësuar akt kriminal. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka vizituar vendin e shpërthimit dhe ka theksuar se incidenti ishte "vepër e atyre që kundërshtojnë procesin e pavarësisë së Kosovës". Kryeministri ka theksuar se ky sulm nuk do ta pengojë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se akte të tilla kriminale janë absolutisht të papranueshme për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

“Ato e dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe nuk paraqesin frymën e vërtetë të popullit të Kosovës, për natyrën e të cilit veprimet e tilla kanë qenë gjithmonë të dënueshme”,- theksoi Presidenti Sejdiu, duke kërkuar nga strukturat e rendit zbulimin sa më të shpejtë të autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Presidenti theksoi se Kosova po hyn në fazën përfundimtare të realizimit të aspiratës shekullore për liri e pavarësi, prandaj aktet e tilla, siç tha ai, janë plotësisht në dëm të procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës, i cili siç tha Presidenti, pa dyshim, "do të jetë në përputhje të plotë me vullnetin politik të qytetarëve të saj”.

Përfaqësuesit e Prishtinës do të marrin pjesë nesër në konsultimet e para teknike me Beogradin, me ndërmjetësim ndërkombëtar në Vjenë, të parat që nga 2 shkurti, kur kryenegociatori Marti Ahtisari shpalli propozimin e tij për statusin e Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG