Lidhje

Pres. Bush: Largimi i disa trupave britanike nga Iraku - përparim

  • Al Pessin

Kryeministri britanik Toni Bler thotë se Britania do të tërheqë 1 mijë e 600 trupa nga Iraku gjatë muajve të ardhshëm, dhe do t’ua dorëzojë forcave irakiane përgjegjësinë e sigurisë në qytetin jugor të Basrës. Zoti Bler tha sot në Dhomën e Komuneve se Britania do ta pakësojë numrin e trupave nga 7 mijë e 100 në 5 mijë e 500. Kryeministri tha se një pjesë e trupave do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak të paktën deri në vitin 2008 për sa kohë të jenë të nevojshme. Ai shtoi se shumica e trupave të mbetura do të dislokohen në bazën ajrore të Basrës dhe do të luajnë rol mbështetës por do të vazhdojnë të jenë të gatshme për detyra luftarake. Në Uashington, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Bush e sheh tërheqjen si një shenjë suksesi, përderisa forcat britanike në Basra janë të afta të transferojnë më tepër kontroll tek irakianët. Edhe Danimarka thotë se deri në muajin gusht do ta tërheqë kontingjentin e vet prej 460 trupash në Irak. Ndërkohë Bullgaria njoftoi për planet për ta shtyrë mandatin e misionit të saj në Irak edhe për një vit tjetër.

Gjatë një udhëtimi brenda vendit me Presidentin Bush, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Snou tha se forcat britanike në Irakun e jugut kanë bërë përparim të ndjeshëm në kuptimin që u kanë dhënë trupave irakiane role komanduese. Ai tha se ky është ai lloj përparimi që Presidenti Bush do të dëshironte të shihte edhe në pjesë të tjera të Irakut.

Zoti Snou tha gjithashtu se nuk bëhej fjalë për t’i kërkuar Britanisë që të transferojë në Bagdat një pjesë të trupave të saj për të ndihmuar në zbatimin e planit të ri të sigurisë, i cili ka të bëjë me dërgimin e më shumë se 21 mijë trupave amerikane shtesë në Irak. Ai tha se prej kohësh ka patur një “ndarje detyrash” mes forcave britanike që drejtojnë koalicionin në Irakun e jugut dhe trupave amerikane që kanë komandën në pjesën tjetër të vendit.

Në Pentagon, zëdhënësi Brajën Uitman tha se tërheqja e 22 përqind të trupave britanike nga Iraku ishte koordinuar me komandantët ushtarakë në Bagdat. Ai tha se kjo pasqyron gjendjan relativisht të sigurt brenda dhe rreth Basrës, qyteti kryesor i Irakut të jugut.

"Ju e dini se basra nuk është Bagdat dhe në Basra, britanikët u kanë dorëzuar shumë përgjegjësi forcave irakiane të sigurimit",- tha ai.

Zoti Uitman tha se pakësimi i trupave britanike nuk lidhet me shtimin e forcave amerikane në Bagdat, gjë e cila, tha ai, synon të krijojë një nivel të tillë sigurie që forcat e atjeshme irakiane të luajnë një rol më të madh ashtu si në zonën e Basrës. Zëdhënësi i Pentagonit tha gjithashtu se Britania do të vazhdojë të ketë një prani mjaft të madhe në Irak dhe do të vazhdojë stërvitjen e trupave irakiane, do të ndihmojë në sigurimin e kufirit me Iranin dhe do të mbrojë linjat e furnizimit të koalicionit. Ai tha disa herë, se secili pjestar i koalicionit i merr vetë vendimet për nivelin dhe misionin e trupave.//lk

XS
SM
MD
LG