Lidhje

Takimi i Vjenës për statusin e Kosovës përfundon pa ndonjë përparim


Përfaqësuesit shqiptarë dhe serbë, të mbledhur në Vjenë, përfunduan ditën e parë të raundit të fundit të bisedimeve mbi statusin e Kosovës, pa ndonjë shenjë përparimi.

Udhëheqësi i ekipit serb, Leon Kojen u tha sot gazetarëve se pala e tij nuk mund të pranojë planin e Marti Ahtisarit, sepse nuk ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tyre. Ai tha se ekipi i tij propozoi amendamente, të cilat do t’i jepnin Kosovës autonomi të gjerë brënda kufijve të Serbisë.

Përfaqësuesi i shqiptarëve të Kosovës në bisedimet e Vjenës, Veton Surroi, tha se sugjerimet e palës serbe janë në kundërshtim me planin e zotit Ahtisari dhe të papranueshme për palën shqiptare.

Ai tha se grupi i tij i punës nuk do të kërkojë ndryshime madhore në planin e zotit Ahtisari në bisedimet përfundimtare që janë planifikuar të vazhdojnë deri më 10 mars.

"Ajo që presim nga këto bisedime është sqarimi i kësaj pakete që në thelb parashikon mënyrën e funksionimit të Kosovës pas vendosjes së statusit", tha zoti Surroi.

Me të mbërritur në kryeqytetin austriak për bisedime, zoti Ahtisari tha se duhet kohë për ta shqyrtuar me hollësi propozimin e tij:

“Siç e kemi thënë, duam tu japim palëve një shans për të shqyrtuar planin e hartuar. Do ta analizojmë të gjithë dokumentin këtë javë dhe javën e ardhshme”, tha i dërguari i OKB-së dhe ish-Presidenti finlandez.

Zoti Ahtisari tha se gjithashtu se nuk beson që të dyja palët do të arrijnë një kompromis.

Diplomatët në përgjithësi, thonë se shohin pak shanse, që palët rivale të arrijnë një kompromis në planin e hartuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së Marti Ahtisari, plan që e ve Kosovën në rrugën drejt pavarësisë nga Serbia.

Propozimi i jep Kosovës vetvendosje nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve dhe elementë të shtetit, përfshi flamurin, himnin, ushtrinë dhe kushtetutën. Plani pritet të paraqitet në fund të marsit në Këshillin e Sigurimit, që do të thotë fjalën e fundit.//lk

XS
SM
MD
LG