Lidhje

Reagime ndaj bisedimeve të Vjenës


Në Prishtinë ka mendime të ndryshme si për propozimin e të dërguarit të posaçëm Ahtisaari, ashtu edhe për atë që mund të arrihet në Vjenë.

Kryeministri Agim Çeku tha sot se është i kënaqur me propozimin e zotit Ahtisaari për statusin e Kosovës, por e pranoi se ka ende hapësirë për përmirësim, ndërsa fillonte raundi i bisedimeve të vështira në Vienë. “Ne jemi të kënaqur me propozimin e tij por mendojmë se ka vend për përmirësim që të funksionojë më mirë. Kështu që ne nuk synojmë që ta ndryshojmë apo ta sfidojmë thelbin e paketës, por mendojmë se duke diskutuar me zotin Ahtisaari mund ta bëjmë më funksionale”.

Kryeministri Çeku thotë se propozimi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së Martti Ahtisaari është pozitiv jo vetëm për shumicën, por edhe për pakicat. “Kjo paketë i ofron shumicës së popullsisë në Kosovë atë që do: një shtet. Kosova do të qeveriset nga institucionet e Kosovës të votuar në zgjedhje nga populli i Kosovës. Edhe pakicat nuk kanë arsye për pakënaqësi, pasi ky dokument u ofron garanci për një jetë me dinjitet dhe të begatë në Kosovë. I ftoj që ta pranojnë paketën dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu në Kosovë së bashku me komunitetet e tjera”.

Në rrugët e Prishtinës, një banor nuk ka besim se bisedimet me serbët do të sjellin rezultat. Ndërsa një veprimtar i Lëvizjes Vetëvendosje ishte kritik ndaj bisedimeve. “Ne jemi kundër konceptit të këtyre negociatave, sepse këto negociata do t’i imponojnë popullit të Kosovës diçka që do të jetë kundër vullnetit të tij. Ne duam t’i themi këtij regjimi jo-demokratik se liria jonë kolektive nuk është e negociueshme”.

Ndërsa në Beograd një banor tha se Serbia duhet të marrë diçka nga komuniteti ndërkombëtar në këmbim të Kosovës. “Ne duhet të negociojmë me komunitetin ndërkombëtar, të kërkojmë diçka në këmbim të Kosovës”. //rd//

XS
SM
MD
LG