Lidhje

Shtetet e Bashkuara optimiste për arritjen e një kompromisi ndërkombëtar për Kosovën


Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështjet politike, Nikolas Bërns i tha Zërit të Amerikës se Rusia ende nuk e ka bërë të qartë qendrimin e saj përfundimtar për statusin e Kosovës por shprehu besimin se mendimi i Shteteve të Bashkuara dhe i vendeve perëndimore lidhur me këtë status do të dalë fitues.

Ishin disa komente mjaft të drejtpërdrejta që numri tre i Departamentit të Shtetit, Nikolas Bërns bëri mbrëmë gjatë një takimi të organizuar në Uashington. Zëri i Amerikës e pyeti nëse do të jetë e vështirë arritja e një konsensusi ndërkombëtar për Kosovën në Kombet e Bashkuara duke patur parasysh kundërshtimet e Rusisë. “Pikëpamja jonë është se do të arrihet një konsensus ndërkombëtar, një konsensus i përafërt, kur presidenti Ahtisari të paraqesë planin e tij dhe është e qartë se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin me forcë një zgjidhje të statusit përfundimtar për Kosovën që do të lindë nga ky proces diplomatik. Ne shpresojmë se Rusia do t’i bashkohet një grupi të madh vendesh që duan të shikojnë fitoren e paqes dhe të stabilitetit dhe jo të bëhet forcë përçarëse.”

I pyetur se a do të bëjë rezistencë Rusia nëse do të duhet që Beogradit dhe Prishtinës t’u imponohet statusi përfundimtar, nënsekretari i shtetit Burns tha: “Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Mendoj se rusët ende nuk e kanë bërë të qartë qendrimin e tyre përfundimtar. Por mendimi ynë është se shtetet që kanë kontribuar realisht për Kosovën, me trupa, me para dhe me ndihma kanë qenë vendet e Evropës Perëndimore dhe Amerika dhe ne kemi një mendim të përbashkët. Mendoj se në fund të fundit kjo pikëpamje do të triumfojë”.

Zoti Bërns foli mbrëmë në një konferencë të organizuar në Uashington nga Këshilli Atlantik i Shteteve të Bashkuara dhe njëra nga çështjet që ai trajtoi ishte Ballkani, si rajoni i cili ende nuk ka mundur të përfitojë nga të mirat e vizionit të një Evrope të bashkuar dhe paqësore. Ai la të kuptohet se zgjidhja e statusit të Kosovës do të ishte një hap me rëndësi në realizimin e këtij vizioni. "Populli i Kosovës ka pritur 8 vjet dhe kërkon të dijë se cili do të fati i tij: nëse do të jetojë në një shtet të pavarur apo do të vazhdojë të jenë i lidhur me një shtet serb dhe përgjigja do të vijë brenda 4-5 javësh, kur negociatori i OKB-së, Presidenti Marti Ahtisari t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit rezultatet e negociatave të tij mes Beogradit dhe Prishtinës, tha nënsekretari amerikan i shtetit.

Zoti Bërns përsëriti se Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë drejtuar përpjekjet ndërkombëtare për të organizuar negociatat Prishtiknë-Beograd, vazhdojnë ta mbështesin zotin Ahtisari. Nga mesi ose nga fundi i marsit, tha zoti Bërns ne do të shikojmë një debat mjaft të fuqishëm në Kombet e Bashkuara për të ardhmen e Kosovës me shpresën se ky do të jetë një kalim paqësor.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëri shfaqi skepticizëm për planin e OKB-së për Kosovën. Zoti Lavrov u tha sot gazetarëve në Berlin se Rusia nuk do të jetë pjesë e ndonjë përpjekjeje shumë-palëshe që do të detyronte Serbinë të njihte pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG