Lidhje

Luftë shifrash dhe entuziazëm në të dy kampet e politikës shqiptare


Luftë shifrash dhe entuziazëm në të dy kampet e politikës shqiptare për rezultatet e zgjedhjeve të së dielës.

Ndërsa një ditë më parë e majta i gëzohej kryesisht fitores në thuajse të gjitha qytetet kryesore të vendit, duke deklaruar se ishte sipas saj më e votuara nga shqiptarët, sot kryeministri Sali Berisha ofroi një panoramë të kundërt duke folur për një fitore plebishitare të aleancës së djathtë që ai drejton: "Shqiptarët në rreth dy të tretat e bashkive dhe komunave të vendit votuan për kandidatët e koalicionit qeveritar duke shënuar fitoren më të thellë në 15 vitet e fundit. Krahasuar me vitin 2003, numrr i bashkive dhe komunave që koalicioni qeverita fitoi u rrit nga 146 në 238 njësi pra pothuajse u dyfishua. Fitorja ishte plebishitare sepse kandidatët e kalicionit me programet tyre të shkëlqyera merituan 610 mijë vota duke lënë prapa koalicionin e humbjes me 78 mijë vota më pak".

Zoti Berisha duke bërë krahasim dhe me zgjedhjet politike të 2005 tha se e majta nga 680 mijë vota të dielën mori 536 mijë, ndërsa e djathta nga 634 mijë vota në 2005 mori më 18 shkurt 610 mijë vota. Pra një tkurrje 7 herë më të vogël se ajo e së majtës.

Kryeministri nuk bëri asnjë analizë të humbjes në Tiranë, ku ai vetë dhe partia demokratike kishin përqëndruar të gjitha energjitë, dhe as të rezultatit negativ në qytetet e mëdha prej nga, sipas shumë vëzhguesve por edhe zërave nga e djathta, jepen dhe sinjalet më të rëndësishme politike. Ai u mjaftua të thotë se vota kundër do të lexohej me kujdes dhe se ajo ishte një ftesë për qeverinë për të ridimensionuar ndërhyrjet e saj. "Qeveria dhe PD në asnjë rrethanë nuk mund që entuziasmin që përmasat e fitores të errësojnë sado pak vendomërin për të deshifruar qëndrimin e atyre që votuan kundër. Pra nuk mund të bjerë në vesh të shurdhër vota e tyre. Qeveria do të shqyrtojë një seri të tërë ndryshimesh dhe masash e po kështu dhe PD-ja."

Lufta e shifrave mes dy kampeve politike dhe interpretimi i saktë i tyre do të mund të bëhet kur ato të shpallen zyrtarisht nga komisioni qëndror i zgjedhjeve. Vecanërisht e rëndësishme është përqindja që kanë marrë partitë në votime, duke qenë se vota për kandidatët jo gjithnjë shkon edhe për të njëjtën parti. //rd//

XS
SM
MD
LG