Lidhje

Surroi: Në Vjenë, qëndrimet e palëve kanë mbetur të njejta në parim


Në Vjenë kanë vazhduar edhe sot bisedimet mbi statusin e Kosovës, mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre serbë, një përpjekje e fundit kjo e zotit Ahtisari për arritjen e një kompromisi. Zëri i Amerikës intervistoi gjatë programit televiziv "Ditari", kryetarin e delegacionit shqiptar në Vjenë, Veton Surroi.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, a ka patur ndonjë përparim gjatë ditës së sotme në bisedime?

Veton Surroi: Unë do të thosha se qëndrimet mbesin të njejta në parim, do të thotë se Beogradi përpiqet të krijojë një pako tjetër negociatore, me insistimin që të futet kushtetuta e Serbisë, si akti më i lartë ligjor. Ne përpiqemi të ruajmë dhe po ruajmë qëndrimin tonë, se kemi ardhur këtu për të dhënë sqarime plotësuese, në fazë e fundit konsultuese rreth paketës së Ahtisarit. Ajo që ndoshta do cekur sot, është se kemi mbërritur së paku në dy, ose tri çështje për të cilat të ketë pajtim me palën e Beogradit. Kjo është rreth nevojës që Kryetari i Kosovës t’i adresojë çështjet e komuniteve pakicë, pastaj çështjet e komuniteteve pakicë të futen brenda kushtetutës së ardhshme të shtetit të Kosovës, dhe rreth një lloj pajtimi, për atë që Kosova, në të vërtetë nuk ka nevojë për një lloj formulimi libanez për formimin e qeverisë, siç e ka sot, ku duhet të ketë definim etnik të ministrave, ku do të thotë, të ketë një serb dhe një boshnjak; duhet të krijohen aleanca natyrale dhe jo të imponohet për çdokush përkatësia etnike e ministrave.

Zëri i Amerikës: Duket se për çështjet më të rëndësishme të dyja palët nuk do të kenë një mendim të përbashkët. Në këto kushte, si e parashikoni ju procesin në Këshillin e Sigurimit?

Veton Surroi: Detyra jonë është që të pëmbyllet procesi i konsultimeve, t’i japin sugjerimet tona konstruktive pakos së zotit Ahtisarit. Ne që nga dita e parë kemi thënë se nuk kemi ndërmend të ndryshojmë si të thuash, strukturën, bazën e kësaj pakoje; duam të bëjmë disa përmirësime, për të cilat mendojmë se i kontribuojmë begatimit të kësaj pakoje. Pastaj kur ajo të mbërrijë në Këshillin e Sigurimit, detyra jonë mendoj është që të krijojmë ndjeshmëri në vende të ndryshme të botës, rreth asaj se sa është me rëndësi për ne, që kjo çështje të zgjidhet shpejt, që të mos zvarriset dhe që të mos iniciohet një proces tjetër negociator, sepse me të vërtetë është e pakuptimtë që mbas rreth një viti e sa, të fillojmë nga e para.

Zëri i Amerikës: Në qendër të debatit për planin e zotit Ahtisari ka qenë fakti se plani, nuk ka qartësi për pavarësinë e Kosovës. Zoti Ahtisari, gjithsesi ka thënë se kur të paraqesë propozimin në Këshillin e Sigurimit, ai do të jetë shumë i qartë. A është sqaruar diçka më shumë gjatë këtyre dy ditëve në Vjenë, në bisedime.

Veton Surroi: Ne besojmë në obligimet që ka marrë Presidenti Ahtisari, të gjitha ato që janë cekur më herët, i ka përmbushur. Nuk kemi arsye që të dyshojmë as në të dhe as në partneritetin që e kemi krijuar dhe ndaj të cilit kemi obligime ndaj bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht ndaj shteteve të cilat e çliruan Kosovën dhe që e ndihmuan që të arrijë në këtë fazë.

Zëri i Amerikës: Plani i zotit Ahtisari për decentralizimin është kritikuar në Kosovë si një plan që i jep shumë kompetenca pakicës serbe. A është pala shqiptare dakort me këtë?

Veton Surroi: Shikoni, ne edhe në ditë e parë dje, unë e hapa takimin e parë, me konstatimin se ne kemi bërë koncesione, disa prej të cilave janë të dhimbshme dhe nuk do të ishin normale në një shtet normal. E kuptojmë megjithatë, se kjo çështje, decentralizimi dhe çështje të tjera, mund të jenë të aplikueshme vetëm në një shtet të pavarur, vetëm në një Kosovë të pavarur.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, mes të tjerash, është folur që 120 ditë pas fillimit të zbatimit të planit të zotit Ahtisari, do të fillojë shpërbërja e strukturave paralele në Kosovë. Çfarë skenari prisni ju të sjellë ky proces?

Veton Surroi: Ne kemi kërkuar që të afatizohet shpërbërja e strukturave paralele, që të gjitha organizatat që janë jashtë ligjit të Kosovës, brenda 120 ditësh, të shformohen, ose të integrohen, kur kemi të bëjmë, psh, me strukturat e sigurisë, apo ndonjë strukturë tjetër paralele dhe jo tash vetëm tek serbët, por edhe tek shqiptarët. Natyrisht, problemi kryesor qëndorn në paligjshmërinë e veprimeve në një pjesë të territorit të Kosovës, në veri. Ne insistojmë që ky afat të respektohet dhe Beogradi e ka refuzuar afatin, por ne shpresojmë që ekipi i zotit Ahtisari besoj se do ta marrë parasysh, meqenëse është pjesë e obligimeve që përputhet me shpërbërjen e UNMIK-ut dhe të shkuarjes së UNMIK-ut nga Kosova. Pra, si detyrë është që ditën e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të jemi në gjendje të rregullt ligjore.

XS
SM
MD
LG