Lidhje

Gillespi: Nuk kam punuar për fushatën elektorale të kryetarit të Bashkisë së Tiranës


Ish kryetari i Partisë Republikane këtu në Shtetet e Bashkuara, Eduard Gillespi, i cili sot drejton firmën për marrëdhëniet publike, Quinn-Gillespi, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se ai nuk ka punuar për fushatën elektorale të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Pas kthimit nga Shqipëria, ku ai qëndroi për një vizitë të shkurtër dhe u takua me zotin Rama, një ditë para zgjedhjeve, zoti Gillespi thotë se firma e tij ka si klient Fondacionin Shqiptar për Demokraci me të cilën punon për njohjen më të mirë të Shqipërisë në Amerikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gillespie ju sapo jeni kthyer nga një vizitë që bëtë në Shqipëri në momentin e zgjedhjeve. A mund të na sqaroni fillimisht se cila ishte natyra e vizitës tuaj, pasi ka paqartësi lidhur me të. A kishte të bënte kjo vizitë me fushatën elektorale të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama?

Eduard Gillespi: Firma ime Quinn Gillespi përfaqëson në Shqipëri organizatën Fondacioni Shqiptar për Demokraci, synimi i së cilës është forcimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara si dhe vendeve të tjera perëndimore, shtimi i interesimit të firmave private për të investuar në Shqipëri, si dhe përmirësimi i procesit të zgjedhjeve në një vend të ri demokratik si Shqipëria. Tek Fondacioni Shqiptar për Demokraci ka njerëz nga parti të ndryshme, që përfaqësojnë gjithë spektrin politik në Shqipëri. Pikërisht ky fondacion është klienti ynë. Unë isha në Shqipëri për një ditë, të premten, për të parë se si po shkonin zgjedhjet.

Zëri i Amerikës: A i keni dhënë ndonjëherë këshilla elektorale Partisë Socialiste, zotit Rama, për zgjedhjet, pasi ju ishit i pranishëm në mitingun e tyre përmbyllës elektoral?

Eduard Gillespi: Jo. Zoti Rama më priti në Tiranë, qyteti ku unë qëndrova. Po ashtu unë u takova edhe me Presidentin Moisiu. Mu duk e përshtatshme për t’u takuar me kreun e shtetit. Ishte një nder për mua që mora ftesë për takim, pasi isha atje si qytetar privat. Me zotin Rama biseduam për nevojën për zgjedhje të lira e të drejta dhe se sa e rëndësishme është kjo për Shqipërinë. Ka njerëz të shumtë në Shtetet e Bashkuara, në Bashkimin, Evropian, OSBE, dhe në NATO që do t’i ndjekim me vëmendje këto zgjedhje. Por unë nuk mbështeta ndonjë kandidat dhe nuk kam bërë ndonjë punë për ndonjë prej kandidatëve gjatë këtyre zgjedhjeve. Ne nuk ishim të përfshirë nga pikëpamja politike, nuk mbajtëm ndonjë anë. Ne punojmë me Fondacionin Shqiptar për Demokraci për të ndihmuar vendin, Shqipërinë, të përparojë drejt një demokracie të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Para këtyre zgjedhjeve, ishte thënë shpesh se ato do të ishin një provë e rëndësishme për të matur përparimin e vendit drejt demokracisë. Por komenti i parë i vëzhguesve të huaj ishte se ato ishin një rast tjetër i humbur për Shqipërinë. Sa janë dëmtuar interesat e Shqipërisë për integrimet euro-atlantike?

Eduard Gillespi: Më vjen keq që ka patur një vlerësim të tillë. Dua të di më shumë se përse u arrit në këtë përfundim. Në se kjo është e vërtetë do të ishte fatkeqësi, pasi zgjedhjet ishin një hap i rëndësishëm, një provë e rëndësishme për Shqipërinë, për qeverinë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Nato. Prandaj dua të njihem me raportin e hollësishëm të OSBE-së për natyrën e zgjedhjeve. Unë do të ndihesha i zhgënjyer, pasi kur isha atje pashë se sa entuziastë dhe të interesuar ishin njerëzit për zgjedhjet. Megjithëse qendrova vetëm 24 orë, nuk ishte e vështirë të kuptojë interesin e shqiptarëve për zgjedhje të lira e të drejta. Në se zgjedhjet nuk i plotësuan standartet do të më vinte keq për popullin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Çfarë pune bëni ju për Fondacionin Shqiptar për Demokraci?

Eduard Gillespi: Puna jonë ka të bëjë me njohjen më të mirë të Shqipërisë në Amerikë, në mënyrë që më shumë amerikanë ta dinë se Shqipëria po punon për të qënë një shtet demokratik dhe që është një aleat i fortë në Irak e Afganistan në luftën kundër terrorizmit. Presidenti Moisiu ka qënë një zë tolerancë fetare, në një vend me shumicë myslimane, por ku ka tri besime fetare. Shqipëria është një vend mik i Shteteve të Bashkuara dhe në se arrin në fazën ku do të arrijë të zhvillojë zgjedhje të lira e të drejta, ai është një vend i shumë i bukur, ku investimet janë të mirëpritura. Me Fondacionin Shqiptar për Demokraci ne do të hartojmë një plan për të ndihmuar në përhapjen e emrin të Shqipërisë mes amerikanëve, dhe për t’u treguar se sa aleat i rëndësishëm është Shqipëria në një rajon kritik të botës.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit për karrierën tuaj politike. Ju keni qënë kryetar i Partisë Republikane. Në Amerikë partitë politike funksiojnë disi ndryshe. Në çfarë raportesh ishit ju me Presidentin Bush?

Eduard Gillespi: Komiteti Kombëtar Republikan është një organ i ndarë nga Presidenti dhe ekipi i tij elektoral. Ne punuam ngushtë me fushatën elektorale për rizgjedhjen e presidentit. Fakti është se ndërsa unë isha kryetari i partisë, sa herë që kandidati i partisë zgjidhet president, ai bëhet në praktikë krytar i partisë. Unë e dija këtë dhe punova jo vetëm për zgjedhjen e presidentit, por edhe të republikanëve të tjerë në Kongres dhe në garat lokale. Ky është roli i partisë, të punojë për regjistrimin e votuesve dhe për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Është ndryshe nga ajo që pashë në Shqipëri, kur kryetari i partisë është edhe zyrtar i zgjidhur. Në Amerikë nuk është kështu. Aktualisht unë drejtoj Partinë Republikane për shtetin e Virxhinias, nuk jam zyrtar i zgjedhur, ashtu si nuk isha edhe kur isha kryetar i partisë. Roli im ishte më tepër i një menaxheri, për të ndihmuar në zgjedhjen e të tjerëve. //ze//

XS
SM
MD
LG