Lidhje

Itali: Vazhdojnë përpjekjet për formimin e qeverisë së re


Presidenti italian Xhorxhio Napolitano po takohet për të dytën ditë radhazi me udhëheqës politikë lidhur me formimin e qeverisë së re, pas dorëheqjes të mërkurën të kryeministrit Romano Prodi.

Presidenti Napolitano u takua me përfaqësues të opozitës së qendrës së djathtë para bisedimeve me partitë e majta, për të vendosur nëse zoti Prodi ka mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri të re të qëndrushme.

Ndërkaq, zoti Prodi duket se ka siguruar mbështetje të mjaftueshme nga aleatët e qendrës së majtë, që mund t’i japë shansin të qëndrojë në post, kur anëtarët e koalicionit ranë dakord mbi një pakt të panegociueshëm me 12 pika. Marrëveshja përfshin mbështetje për dislokimin e rreth 1 mijë e 800 trupave italiane në Afganistan.

Kjo dhe çështje të tjera politike shkaktuan konflikt, duke çuar në dorëheqjen e kryeministrit 9 muaj pas ardhjes në post.

Presidenti duhet të vendosë nëse do t’i kërkojë zotit Prodi apo një politikani tjetër të formojë qeverinë e re. Presidenti mund të shpallë edhe zgjedhje të parakohshme. //ze//

XS
SM
MD
LG