Lidhje

Mendime të ndryshme rreth kritikave të Presidentit rus ndaj SHBA


Duke folur kohët e fundit në Mynih, të Gjermanisë, në Konferencën mbi Politikat e Sigurisë, Presidenti rus Vladimir Putin i akuzoi Shtetet e Bashkuara se diktojnë vijat e tyre politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore ndaj vendeve të tjera.

“Natyrisht, që kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe të çon në një situatë, ku askush nuk ndihet i sigurtë. Dua ta theksoj këtë-askush nuk ndihet i sigurtë! Ngaqë asnjë vend nuk mund të kërkojë mbrojtje nga ligji ndërkombëtar; natyrisht, që një politikë e tillë nxit garën e armatimeve”.

Në Uashington, Presidenti Xhorxh Bush tha se zoti Putin mbetet njeriu me të njëjtin vullnet të fortë, siç ishte në vitin 2001, kur zoti Bush e cilësoi homologun e tij rus të besueshëm.

“Ai është një njeri, me të cilin unë kam patur marrëveshje dhe mosmarrëveshje gjatë të gjithë kohës së presidencës sime dhe të tijës. Ne kemi rënë dakord lidhur me dobinë e NATO-s. Jam përpjekur ta bind Vladimirin se NATO është e nevojshme, se aleanca ka një ndikim pozitiv, që është mirë ta kenë vendet fqinje demokratike”.

Pas fjalimit, Presidenti Putin e përshkroi Presidentin Bush si një njeri i respektuar dhe u bashkua me mendimin e tij se Rusia dhe Amerika nuk do të jenë kurrë më kundërshtarë.

Megjithatë, udhëheqësi i Kremlinit mendon se NATO-ja përbën një provokim serioz dhe se po ndihmon në krijimin e një ndarjeje të Evropës, të ngjashme me Murin e Berlinit në periudhën e Luftës së Ftohtë. Por presidenti lituanez, Valdus Adamkus, vendi i të cilit u pranua në NATO pas gjysëm shekulli nën sundimin sovjetik, nuk është dakord me fjalimin e Presidentit Putin në Mynih.

“Mendoj se ky fjalim nuk do të ndikojë tek idealet e popujve të lirë, tek drejtimi për ku jemi nisur bashkarisht. Jam i mendimit se rezultati përfundimtar do të jetë, ai që ne kemi ëndërruar për një kohë të gjatë dhe që populli amerikan ka mbështetur për shekuj të tërë”.

Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta për sigurinë e popujve të tyre dhe botës në tërësi.

Por Ariel Cohen, ekspert për Rusinë në fondacionin Heritage në Washington, thotë se zoti Putin po luan me ndjenjat anti-amerikane në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, për të minuar sigurinë globale.

“Natyrisht, që kjo e ndihmon Putinin kur shkon në Lindjen e Mesme për të shitur reaktorë bërthamorë, apo armë; armët me vlerë prej miliarda dollarësh që Rusia i ofroi tregut arab janë një fakt evident”.

Ish-përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, ambasadori John Bolton, thotë se nuk i kupton arsyet që fshihen prapa fjalimit të Presidentit Putin.

“Fjalimi nuk pasqyron gjendjen e vërtetë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumë fusha bashkëpunimi që ne kemi, apo sigurinë që ne kemi ofruar për vite me radhë për çështje të tilla, si mbrojtja me raketa, e cila nuk synon të jetë kundër Rusisë, apo aftësive të saj mbrojtëse, por ajo synon t’i mbrojë Shtetet e Bashkuara nga sulmet e vendeve të papërgjegjshme, si Irani, apo Koreja e Veriut”.

Ambasadori Bolton thotë se fjalimi i Mynihut tregon se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë më tepër në diplomacinë me Rusinë. Sipas zotit Bolton, komentet e Presidentit Putin përfaqësojnë një intrepretim të gabuar për Shtetet e Bashkuara dhe jo një ndryshim në politikën ruse. //ze//

XS
SM
MD
LG