Lidhje

Haradinaj: “Pas rezolutës së re, Kosova do të vendosë për të ardhmen e saj”


Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot se Kosova është në proces të sigurt drejt pavarësisë, ndërsa bëri thirrje për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në këtë periudhë vendimtare për të ardhmen e saj.

Ai i bëri këto komente pas takimeve që zhvilloi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara Joakim Ryker dhe drejtuesit e institucioneve vendase dy ditë para se të udhëtojë për në Hagë, ku më 5 mars pritet të fillojë procesi gjyqësor kundër tij.

Zoti Haradinaj tha se Kosova është në rrugë të mirë për të përmbushur aspiratat e saj politike, duke mbështetur propozimin e krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Marti Ahtisari.

“Sa i përket dokumentit të zotit Ahtisaari, mënyra se si e shpjegojë unë është se i heq obligimet e marra nga Kosova, ose të vendosura mbi Kosovën, në mënyrë që Kosova të vendosë për veten. I lejon Kosovës që në një moment të caktuar pas rezolutë së Këshillit të Sigurimit, që të vendosë për veten. Meqë vullneti ynë është për shtet sovran dhe të pavarur, do të thotë se e hap rrugën për këtë”, tha zoti Haradinaj.

Ai shfaqi bindjen se institucionet dhe partitë politike do të ruajnë unitetin në këtë periudhë, ndërsa bëri thirrje për ruajtjen e qëndrueshmërisë në Kosovë.

“Ndërtimi është i vështirë dhe asnjëherë nuk është i përsosur. Në të njëjtën kohë është shumë lehtë me rrënue, njerëzit munden me rrënue shpejt. Po është e padrejtë me rrënue. Ne jemi në vendin tonë me ndërtue, jo me me rrënue. Mund t’i përmirësojmë ato që kemi ndërtue, mund t’i zhvillojmë më tej, mund t’i përsosim, por askush nuk ka të drejtë që të rrënojë në Kosovë”, theksoi ai.

Zoti Haradinaj, i cili u zgjodh kryeministër i vendit në dhjetor të vitit 2004, dha dorëheqje nga ky post më 8 mars të vitit 2005 dhe një ditë më vonë udhëtoi për në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë kur ai ishte një ndër komandantët e shquar të ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Bashkë me zotin Haradinaj në Hagë udhëtuan edhe dy ish bashkëluftëtarë të tij. Në qershor të vitit 2005 atij iu lejua kthimi në shtëpi dhe më pas iu mundësua pjesëmarrja e kufizuar në veprimtari politike në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai tha sot se shkon në Hagë me besimin se drejtësia do të mbizotërojë dhe për të thënë të vërtetën.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës shprehën besimin e tyre të plotë në pafajësinë e zotit Haradinaj dhe pastërtinë e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. //ze//

XS
SM
MD
LG