Lidhje

Ahmadinexhad: Irani nuk do ta ndalojë programin bërthamor


Media shtetërore në Iran, citon presidentin Mahmud Ahmadinexhad të ketë thënë se Irani nuk do të ndalojë programin e tij bërthamor, megjithë presionin ndërkombëtar.

Zoti Ahmadinexhad tha sot se zhvillimi nga Irani i teknologjisë për të prodhuar energji bërthamore është si një tren pa frena, i cili nuk mund të kthehet në drejtim të kundërt.

Irani nuk mori parasysh një afat të caktuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për të ndalur procesin e pasurimit të uraniumit brenda 21 shkurtit, mosrespektimi i të cilit do të sillte sanksione të mëtejshme.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka për synim të prodhojë energji për qëllime paqësore. Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera perëndimore dyshojnë se Irani po përpiqet të prodhojë armë atomike.

Duke folur në rrjetin televiziv amerikan, FoxNews, Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, tha se Irani duhet të ndalojë procesin e pasurimit të uraniumit. Ajo përsëriti përpjekjet e mëparëshme për t’u takuar me zyrtarë iranianë, nëse Irani ndalon programin e tij të diskutueshëm bërthamor. //kk//

XS
SM
MD
LG