Lidhje

Shqipëri: Vonesat me rezultatet e zgjedhjeve shqetësojnë vëzhguesit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi sot të tjera shifra të pjesshme për zgjedhjet e pushtetit vendor, edhe pse eshtë mbushur një javë që ato janë mbajtur në fundjavën e kaluar. Zëdhënësi i K.Q.Z., Leonard Olli, bëri të ditur rezultate për 6 bashki e komuna të tjera, midis të cilave është dhe bashkia e Korcës dhe e Fierit, të cilët janë fituar nga kandidatët e PS. Sipas tij, të dhënat e reja nga komisionet zgjedhore po tregojnë një tendencë në ulje të pjesëmarrjes në votime; nga 48 % dje në 47% sot.

Ndërkohë, nuk janë publikuar ende nga KQZ-ja rezultatet e zgjedhjeve për 3 qytetet që kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të publikut, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, pasi nuk janë dorëzuar plotësisht dokumentacionet dhe nuk është përfunduar përpunimi i tyre.

Materialet zgjedhore të Elbasanit dhe Durrësit kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas polemikave të ashpra që shpërthyen atje gjatë numërimit të votave. Opozita ka shprehur dyshime se në Durrës dhe Elbasan po bëhen përpjekje për manipulim të rezultateve. Burime nga KQZ-ja thonë se një rezultat përfundimtar për këto zgjedhje mund të nxirret pas dy ditësh, sepse numri i njësive bashkiake që duhet përpunar është shumë i madh, rreth 400 dhe volumi i dokumentacionit është 4 herë më i madh se zgjedhjet parlamentare, pa llogaritur edhe vonesat që vetë komisionet shkaktuar gjatë numërimit dhe mbylljes së procesit.

Po ashtu janë duke u përpunuar rreth 200 ankesa për parregullsi nga subjekte dhe kandidatë të ndryshëm politikë. Ndërkaq përfaqësues të opozitës vazhduan edhe sot turneun e takimeve të tyre në qytete të ndryshme të Shqipërisë për të falenderuar votuesit e tyre. Kryetari i PS Edi Rama, ishte sot në Lushnje, Berat dhe Vlorë në takime, ku ashtu si dhe në Durrës dhe Fier një ditë më parë, vlerësoi rezultatet e kandidatëve të majtë dhe u angazhua për mbajtjen e premtimeve të tyre.

Vëzhguesit e jetës politike në vend po kritikojnë vonesat në dokumentimin i zgjedhjeve dhe nxjerrjen e rezultateve, gjë që ka qenë një nga praktikat më të zakonshme në zgjedhjet e kaluara. Sot 7 ditë nga zgjedhjet e 18 shkurtit pothuaj të gjithë shifrat janë të pjesshme, dhe ende nuk ka një rezultat përfundimtar.//kk//

XS
SM
MD
LG