Lidhje

A do të jetë presidenti i Venezuelës pasuesi i Fidel Kastros? 


Për gati 50 vjet, presidenti kuban Fidel Kastro ka qenë revolucionari i majtë më i njohur i Amerikës Latine. Shumë analistë besojnë se presidenti Hugo Chavez i Venezuelës do të marrë stafetën nga Kastroja por të tjerë janë skeptikë nëse zoti Chavez do të arrijë ndonjëherë reputacionin e udhëheqësit kuban.

Derisa u zhduk nga sytë e publikut në 2006-ën, Fidel Castro sulmonte me fjalë Amerikën sa herë që i jepej rasti. Presidenti venezuelian Hugo Chavez, një socialist i vetdeklaruar, bën të njëjtën gjë.

“Pretendimet hegjemoniste të perandorisë amerikane po vënë në rrezik mbijetesën e racës njerëzore”.

Hugo Chavez e shikonte Fidel Castron si një mentor dhe mik. Gjatë fushatës për t’u rizgjedhur vitin e kaluar ai ia dedikoi fitoren e tij njeriut që e quan “Mjekërroshi”. Eksperti për Kubën Wayne Smith i Qendrës për Politikat Ndërkombëtare:

“Fidel Castro shihet si udhëheqësi revolucionar, figura historike që kundërshtoi Shtetet e Bashkuara. Pikërisht kjo i dha Kastros pozicionin e tij, reputacionin në Amerikën Latine. Hugo Chavez duket qartë se kërkon të jetë pasuesi, kërkon të marrë këtë trashëgimi”.

A do t’ia dalë mbanë? Sipas Michael Shifter të grupit analist Dialogu Ndër-Amerikan, zoti Chavez po imiton qysh tani stilin e qeverisjes të udhëheqësit kuban.

“Mendoj se qëndrimi i tij ndaj parimeve demokratike, në aspektin e zbatimit të ligjit, ndarjes së pushtetit, nuk janë shumë larg nga Fidel Kastroja. Zoti Chavez ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të konsoliduar dhe përqëndruar pushtetin në duart e tij për të marrë të gjitha vendimet. Ashtu si Fidel Castro merrte gjithë vendimet në Kubë ai kërkon të marrë të gjitha vendimet për Venezuelën”.

Por a mund të kapë zoti Chavez reputacionin e Fidel Kastros?

“Fidel Castro luftoi për revolucionin luftoi kundër qeverisë Batista. Ai kishte trupat e tij dhe luftoi në male. Ai shihet si një njeri që bëri sakrifikë, luftoi mbi baza idesh dhe bindjesh. Hugo Chavez shihet si një fatlum, që doli në krye nga situata e çmimeve të larta të naftës dhe duke përdorur ato si instrumenta politikë”.

Në vitet ’60 dhe ’70 Fidel Castro u përpoq të eksportonte komunizmin në mbarë Amerikën Latine. Gjatë viteve të fundit Presidenti Chavez ka përdorur rezervat e mëdha të naftës në vendin e tij për të krijuar lidhje të reja ekonomike dhe politike në rajon. Analisti Wayne Smith thotë se përçarja ndërkombëtare që kërkon zoti Chavez duket se po has më pak rezistencë nga ajo e Fidel Kastros.

“Castro, për arsye praktike, në pjesën më të madhe të kohës ishte i vetëm. Nuk kishte asnjë tjetër që i bënte jehonë socializmit në Amerikën Latine. Tani Hugo Chavez ka shumë miq të majtë në Amerikën Latine me të cilët shtrëngon duart”.

Aleatët e Chavezit përfshijnë presidentin bolivian Evo Morales, atë të Ekuadorit Rafael Correa dhe nikaraguan Daniel Ortega. Tendenca e zotit Chavez për të deklaruar favoritët e tij në garat presidenciale të vendeve të tjera ka çuar në fërkime në Peru dhe gjetkë në Amerikën Latine.

Fërkimet mund të dalin në horizont edhe midis Karakasit dhe Havanës, sipas analistit Ian Vasquez të Institutit Cato.

“Thuhet se Raul Castro nuk ka shumë simpati për Hugo Chavez dhe do të tregojë kujdes të mos i nënshtrohet atij. Ai ka qënë i nënshtruar ndaj të vëllai për më shumë se 40 vjet. Ai sigurisht që nuk do të vihet nën kthetrat e një tjetri që kërkon të imitojë të vëllain e tij. Kështu që do të ketë patjetër fërkime midis Kubës dhe Venezuelës”.

Në një epokë të konsumit në rritje të energjisë globale, analisti Vazquez thotë se pasuria e madhe në naftë e Venezuelës automatikisht e bën atë një lojtare në arenën botërore në një mënyrë që Kuba nuk ka qenë asnjëherë nën Fidel Castron. Por shton ai, modeli i Venezuelës, që mbështetet në dollarët e naftës për të përmbushur nevojat e njerëzve nuk mund të ndiqet nga shumë vende të tjera. //kk//

XS
SM
MD
LG