Lidhje

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë: Serbia nuk mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për gjenocidin në Bosnje


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç e përshëndeti vendimin e Gjykatës së OKB-së në bazë të të cilit vendi i tij nuk është fajtor për gjenocid gjatë konfliktit të Bosnjes në vitet 90.

Zoti Tadiç e quajti vendimin e shpallur sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë si një vendim “shumë të rëndësishëm”. Ai i bëri thirrje popullit të tij ta shikojë drejt në sy masakrimin nga forcat serbe të 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë pas marrjes së enklavës së Srebrenicës.

Në vendimin historik, anëtarja e Gjykatës, Rozalin Higgins, tha se forcat serbe janë përgjegjëse për vrasjet në Srebrenicë.

Por ajo tha se nuk ishte arritur në përfundimin se kjo masakër – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ishte kryer me urdhërat e Beogradit.

Myslimanët dhe kroatët e Bosnjes shprehën zhgënjim ndaj vendimit, ku thuhej gjithashtu se udhëheqësit serbë nuk e përdorën ndikimin e tyre të qartë për të mos e lejuar gjenocidin.

Bosnje-Hercegovina kishte ngritur padi ku akuzonte Jugosllavinë e atëhershme si organizatore e spastrimit të gjerë etnik të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjes gjatë konfliktit të viteve 90. Nëse gjykata do të shprehej në favor të Bosnjes, kjo do ta detyronte Serbinë të paguante miliarda dollarë dëmshpërblime. //kk//

XS
SM
MD
LG