Lidhje

Një shpërthim në Kosovë dëmton 7 makina të OSBE-së


7 makina të OSBE-së u dëmtuan sot në qytetin e Pejës, si pasojë e shpërthimit të një granate të hedhur në një parking të sigurtë të makinave të OSBE-së. Edhe një automjet i institucionit të avokatit të popullit, dhe tri automjete private të parkuara jashtë OSBE-së, janë dëmtuar nga shpërthimi që ndodhi rreth orës 3: 30 të mëngjesit. Mjeti i dytë shpërthyes nuk është aktivizuar dhe është gjetur në rrugë.

Zëdhënësi i policisë lokale në Pejë, Avni Gjevukaj, i tha Zërit të Amerikës, se është herët të thuhet se cila ka qenë shënjestra e sulmit dhe se ende nuk ka të dhëna për autorët e sulmit apo motivet e tij.

Policia konfirmon se nuk ka të arrestuar në lidhje me incidentin. Hetimet në vendin e ngjarjes po zhvillohen nga njësiti rajonal i policisë në bashkëpunim me KFOR-in. Zoti Gjevukaj pohoi se çështja nëse OSBE-ja ka qenë shënjestra e sulmit, do të jetë pika kryesore e hetimeve sepse incidenti ka ndodhur brenda parkingut të OSBE-së, por ai theksoi se nuk përjashtohen pistat e tjera.

Por zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm, I tha Zërit të Amerikës, se nuk ka të dhëna që OSBE-ja të ketë qenë shënjestra.

“Nuk ka të dhëna që OSBE-ja ishte shënjestra e këtij shpërthimi granate, por tani për tani, presim derisa policia të hetojë vetë rastin”, tha ai.

Zoti Lindholm vuri në dukje se përreth zonës ku ndodhi shpërthimi ka një numër biznesesh dhe është zonë e banuar.

“Do të donim të dimim ekzaktësisht kush dhe pse pati sulm me granatë, duhet sigurisht të marrim parasysh faktin se në vendin ku janë parkuar makinat tona në një parking të sigurtë, gjendet edhe një zonë e banuar me disa biznese përreth. Mund të ketë qenë thjeshtë rasti që ne mund të kemi qenë një zonë dytësore ku ra granata, por përsëri, kjo duhet të përcaktohet”, thotë zoti Lindholm.

Zëdhënësi i OSBE-së theksoi se kjo organizatë dënon çdo lloj incidenti apo sulmi, por për fat, në këtë rast, dëmtimet materiale ishin të vogla.

Sulmi ishte i fundit në një vale incidentesh të dhunshme në Kosovë, që kur i dërguari I posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari paraqiti planin e tij për statusin ku parashikohet vetëqeverisja dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, por nuk përmend drejtpërdrejt pavarësinë. //kk//

XS
SM
MD
LG