Lidhje

Gjashtë fuqitë botërore do të hartojnë rezolutë të re për Iranin


Zyrtarët britanikë thanë se gjashtë fuqitë botërore ranë dakord të fillojnë hartimin e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit për programin bërthamor të Iranit.

Zyrtarët thanë se përfaqësuesit e gjashtë vendeve më të fuqishme të cilët u takuan sot në Londër mbeten të angazhuara për një zgjidhje me negociata. Bisedimet e sotme përfshinin përfaqësues nga Gjermania dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia, dhe Kina.

Shtetet e Bashkuara thonë se po kërkojnë të ndërmerren hapa gradualë për të shtuar sanksionet mbi Iranin për shkak të programit të tij bërthamor.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se pret një rezolutë të re të OKB-së që do të shtojë gradualisht trysninë mbi Iranin.

Javën e kaluar Irani sfidoi afatin e vendosur nga Këshilli i Sigurimit për të ndërprerë veprimtaritë bërthamore, duke u përballur me mundësinë e sanksioneve të tjera, mbi ato të vendosura në dhjetor.

Në Moskë, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se Rusia është e shqetësuar për atë që ai e quajti përmendje gjithnjë e më e shpeshtë e një goditjeje ushtarake kundër Iranit. //kk//

XS
SM
MD
LG