Lidhje

SHBA: Vazhdon debati për politikat e Presidentit Bush në Irak

  • Piter Fedinski
  • Uashington

Në Shtetet e Bashkuara, anëtarët demokratë të Kongresit kanë ndërmarrë hapa për të kundërshtuar politikat e Presidentit Bush në Irak, por nuk kanë miratuar ligje që do të shkurtonin fondet për luftën. Megjithatë ligjvënësit po akuzohen se po përpiqen të kontrollojnë në detaje politikën e administratën për Irakun.

Anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve miratuan këtë muaj një rezolutë pa fuqi detyruese kundër vendimit të Presidentit Bush për të dërguar mbi 21 mijë trupa shtesë në Irak. Republikanët e bllokuan një rezolutë të ngjashme në Senat. Por udhëheqësit demokratë të dy dhomave të Kongresit kanë propozuar masa të tjera kundër luftës, mes së cilave edhe një përpjekje të mundshme për ndryshime në autoritetin e presidentit lidhur me luftën në Irak. Senatori Trent Lot, kreu i pakicës në Senat thotë se taktikat e përdorura nga demokratët janë shqetësuese siç thotë ai.

“Kjo është thjesht pjesë e një strategjie me efekt bllokues të ngadaltë: në fillim një rezolutë pa fuqi ligjore, pastaj seanca por që mund të çojnë në një votim që do të shkurtonte fondet”, - tha zoti Lot.

Shumica e demokratëve thotë se ata nuk janë të përgatitur për shkurtimin e fondeve. Por kandidati demokrat për president Xhon Eduards, që në vitin 2004 u zgjodh nga partia e tij si kandidat për nënpresident po bën thirrje për një politikë të tillë. Ai foli në një program të rrjetit televiziv CBS:

“Mendoj se Kongresi duhet t’i përdorë kompetencat e veta për miratim fondesh për ta ulur nivelin e trupave, për të tërhequr fillimisht 40 mijë deri në 50 mijë nga Iraku dhe të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të larguar trupat nga Iraku gjatë këtij viti”- tha ai.

Sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs e pranon se Kongresi ka të drejtën kushtetuese që të mbikqyrë aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, thotë ajo, ligjvënësit po kërcënojnë rolin kushtetues të presidentit si komandant i forcave të armatosura, pjesë e së cilit është autoriteti për vënë në zbatim politika dhe për t’u konsultuar me komandantët ushtarakë për nevojat e tyre.

“Nëse këputet një zinxhir i tillë kontrolli, atëherë do të krijohet sistemi më i keq i kontrollit në ushtri dhe në të kaluarën kjo ka qenë diçka negative”,- tha zonja Rajs.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, thotë se planit të presidentit për rritjen e numrit të trupave duhet t’i lihet kohë për të funksionuar. Demokratët thonë megjithatë se po veprojnë në mbështetje të mesazhit kundër luftës, që votuesit e bënë të qartë në zgjedhjet e nëntorit.//lk

XS
SM
MD
LG