Lidhje

Del në qarkullim libri "Operacionet Paqeruajtëse në Shekullin 21"

  • Sonja Pejs
  • Uashington

Sot në Uashington, Instituti amerikan i Paqes vuri në qarkullim librin “Operacionet Paqeruajtëse në Shekullin e 21", i cili kurorëzon një projekt katërvjeçar për të analizuar zanafillën dhe rezultatet e disa prej operacioneve më të mëdha të këtij lloji në kohën tonë. Disa nga ekspertët kryesorë të kësaj fushe morën pjesë në prezantimin e librit ku folën mbi sukseset dhe zhgënjimet që lidhen me forcat paqeruajtëse kudo në botë.

Operacionet paqeruajtëse në botë ofrojnë një zgjidhje politike për konfliktet dhe lufrat civile. Sot numri i tyre është më i madh se kurrë – janë gjithsej 160 mijë paqeruajtës të dislokuar nga OKB-ja, NATO-ja, Bashkimi Evropian, dhe Bashkimi Afrikan. Analistët thonë se i kanë studiuar këto operacione për të mësuar se si mund të arrihet suksesi pa u zhytur në dilema politike. Ja ç’thotë analisti Pol Stares i Institutit amerikan të Paqes:

"Kur u konceptua ky projekt, na bëri përshtypje të thellë një paradoks i madh në operacionet paqeruajtëse të OKB-së: megjithë skepticizmin e madje përbuzjen ndaj këtyre operacioneve, kërkesa për paqeruajtësit e OKB-së vazhdon të rritet" ,- thotë ai

Megjithë pengesat në rritje që lidhen me sigurinë, zoti Stares parashikon një rritje prej 50 përqind në numrin e paqeruajtësve që dërgohen në pjesë të ndryshme të botës ku ka kriza. Instituti amerikan i Paqes është një organizatë studimore jopartiake e financuar nga Kongresi.

Uilliam Darç është redaktor i studimit të ri të publikuar nga ky institut që analizon operacionet paqeruajtëse në 6 rajone kryesore: Bosnje-Herzegovina, Kosova, Timori, Kongoja, Sierra Leoneja and Afghanistani.

"Mësimet që nxjerrim ne janë: së pari, ajo që ka më shumë rëndësi për paqen është fakti se kush e ka fuqinë në terren, si e përdor këtë forcë dhe në të mirë të kujt. Së dyti, operacionet paqeruajtëse duhet të jenë tepër të fuqishme që t’i rezistojnë sfidës së atyre të cilët dëshirojnë shkatërrimin e paqes. Së treti, sado të fuqishme që të jenë, asnjë operacion paqeruajtës nuk mund të çojë në një paqe të qendrueshme."

Zoti Darç thotë se paqja nuk mund të institucionalizohet nëse nuk ekzistojnë kushtet e duhura. Veprimet për të fuqizuar një qeveri që rrezikon të bjerë janë shumë më të preferueshme se sa përpjekjet për të rimëkëmbur një qeveri e cila është rrëzuar.

Ekspertët e operacioneve paqeruajtëse u mblodhën në Uashington me rastin e publikimit të studimit të ri të hartuar nga Instituti amerikan i Paqes. Lakhdar Brahimi, zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara, i cili veç të tjerave ka drejtuar një mision paqeruajtës në Afganistan, foli për mësimet që nga nxjerrë gjatë karrierës së tij diplomatike.

"Këshilla ime për prakticienët e së ardhmes është: mos u nxitoni dhe ta detyroni një vend të bëjë kushtetutën para se të jetë gati ta bëjë këtë. E njëjta gjë vlen edhe për zgjedhjet", - thotë zoti Brahimi.

Kombet e Bashkuara kanë një buxhet prej rreth 5,5 miliard dollarësh për operacionet paqeruajtëse në botë. Por ekspertët e Institutit të Paqes thonë se edhe një shumë e tillë vështirë të mjaftojë për të përballuar kërkesat në rritje për ndihmë ndërkombëtare që synon zgjidhjen e konflikteve dhe të krizave rajonale.//lk

XS
SM
MD
LG