Lidhje

Presidenti Moisiu: Reformat në drejtësi, me mirëkuptimin e politikës


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, u kërkoi sot qarqeve politike të heqin dorë nga presionet mbi sistemin e drejtësisë, për të ndihmuar në këtë mënyrë reformimin e këtij sistemi. Ai i bëri këto komente gjatë një konference ku u përurua projekti i binjakëzimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me homologët e vet në Itali dhe Spanjë, duke synuar arritjen dhe zbatimin e standartee europiane ne fushën e drejtësisë.

"Gjykimi dhe vlerësimi im është që procesi i reformimit të pushtetit gjyqësor të jetë një proces vizionar dhe jo i zgjidhjeve të çastit. Duhet të hidhen hapa për strategji afatgjata për reformën në drejtësi" - tha ai.

Zoti Moisiu tha se do të jepte gjithë ndihmesën e vet që reformimi i drejtësisë të bëhej mbi një platformë të pranuar nga gjithë faktorët politikë.

"Të tilla reforma të rëndësishme në një shtet demokratik kërkojnë mirëkuptim e konsensus midis palëve, pasi, në fund të fundit, reformimi i pushtetit gjyqësor është një sfidë e përbashkët, afatgjatë dhe duhet parë përtej kërkesave të ditës dhe të interesave politike të çastit" - tha ai.

Zoti Moisiu tha se KLD luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e pavarësisë, efektivitetit dhe paanshmërisë së sistemit gjyqësor shqiptar.

"Vazhdimi i reformave është i domosdoshëm për të përmirësuar veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, për ta bërë këtë pushtet më të aftë për përballimin e funksionimit normal të shtetit të së drejtës, për ta sjellë këtë pushtet afër standarteve demokratike të dhënies së drejtësisë, larg fenomeneve korruptive për shkaqe politike, apo për shkaqe ekonomike dhe përfitime të tjera" - tha ai.

Presidenti Misiu shprehu shqetësim për korrupsionin në drejtësi dhe për sulmet denigruese ndaj këtij sistemi.

"Jam i bindur që nuk është denigrimi dhe sulmet, disa herë dhe politike, mbi pushtetin gjyqësor, mjeti më i mirë për arritjen e këtij qëllimi, por, respektimi i vendimeve të gjykatave dhe ndjekja e rrugës institucionale për vlerësimin e vendimeve të tyre" - tha ai.

Sistemi shqiptar i drejtësisë është një nga më të kritikuarit në Shqipëri për korrupsion dhe shpërdorim detyre, sipas perceptimit të opinionit publik. Qytetarët kanë një ndjeshmëri shumë të lartë ndaj korrupsionit në gjykata, megjithatë korrupsioni dhe abuzimi me postet zyrtare janë krimet më pak të ndëshkuara në Shqipëri.//lk

XS
SM
MD
LG