Lidhje

Tirana angazhohet për prodhimin e shpejtë të kartave të identitetit


Qeveria shqiptare diskutoi sot projektin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, një kërkesë e hershme kjo e Bashkimit Europian dhe temë kryesore e debateve politike në prag të zgjedhjeve vendore. Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e sotme të qeverisë se "projekti i kartave te identitetit do të nisë nga qeveria dhe ministria e brendshme me përparësinë më të madhe, sepse Shqipëria është angazhuar për këtë në negociatat me Bashkimin Europian dhe sa herë është folur për lehtësimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve, identifikimi i qytetarëve ka qenë një temë kryesore".

Kryeministri Berisha tha se Shqipëria duhet të mbyllë njëherë e mirë çështjen e identifikimit të qytetarëve të vet. Sipas tij, disa përgatitje teknike janë bërë në procese të mëparshme.

"Pajisja e qytetarëve me karta identiteti - tha zoti Berisha - do të fillojë në kohën më të shkurtër të mundshme, edhe si një domosdoshmëri që lidhet me proceset zgjedhore", gjë që ishte edhe një nga kritikat kryesore të vazhguesve ndërkombëtarë si parregullsi që cënoi cilësinë e zgjedhjeve vendore".

Deputetë të opozitës në parlament dhe kryetari i PS-së të opozitës, Edi Rama në fjalimin e parë menjëherë pas zgjedhjeve vendore kanë shprehur angazhimin për të mbështetur reformën zgjedhore të kërkuar nga ndërkombëtarët, pjesë e të cilës është edhe identifikimi i votuesve. Debatet për kartat e identitetit ka qenë mbizotëruese për shumë muaj në qarqet politike jo aq për cilësinë dhe detaje të këtij dokumenti, se sa për vonesat e prodhimit të tyre.

Aktualisht qytetarët shqiptarë ende nuk kanë një dokument të besueshëm identifikimi, ndonëse përdorin për identifikim certifikata lindjeje, dy lloje passportash ndërkombëtare, një model letërnjoftimi të kohës së diktaturës komuniste. //kk//

XS
SM
MD
LG