Lidhje

SHBA: Drejtori i Zbulimit paralajmëron për rreziqet ndaj sigurisë


Drejtori i Zbulimit Kombëtar Admirali Mike McConnell thotë se terrorizmi mbetet rreziku më i madh ndaj sigurisë amerikane. Por ai i tha Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura se ka kërcënime të reja që rrezikojnë jo vetëm Amerikën dhe amerikanët, por njerëz në shumë pjesë të botës.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar Mike McConnell thotë se me gjithë eliminimin e shumë udhëheqësve të lartë të organizatës terroriste al-Kaida, elementët e saj thelbësorë vazhdojnë të funksionojnë dhe të përgatisin komplote kundër Shteteve të Bashkuara dhe objektivave të tjera.

“Në të vërtetë, al-Kaida së bashku me grupe të tjera terroriste vazhdon përpjekjet për të shtënë në dorë armë, apo materiale kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore. Al-Kaida po përforcon gjithashtu lidhjet operacionale nga kampet e saj në Pakistan në grupet dhe rrjetet e saj në gjithë Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Evropë”.

Admirali McConnell thotë se kërcënimi i dytë më i madh ndaj Amerikës dhe aleatëve të saj janë aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë që kërkojnë armë të shkatërrimit në masë. Ai përmendi veçanërisht Korenë e Veriut dhe Iranin, duke theksuar edhe kërcënimin që paraqet Teherani.

“Irani përbën shqetësim jo vetëm për aspiratat bërthamore. Rënia e Talebanëve dhe Sadamit, rritja e të ardhurave nga nafta, fitorja e Hamasit në zgjedhje dhe ideja e krijuar se Hezbollahu ka qenë i suksesshëm në luftën kundër Izraelit, të gjitha këto e shtojnë ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme”.

Admirali McConnell tha para komisionit të senatit se kërkesa në rritje për naftë dhe gaz ka sjellë përfitime për vendet prodhuese që mbajnë qëndrime armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara si Irani dhe Venezuela. Ai shtoi se Rusia tani e konsideron veten si një superfuqi të energjisë, një status që mund të ketë pasoja për shtetet fqinjë.

Në seancë raportoi edhe Gjeneral Lejtnant Michael Maples, drejtor i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes. Ai tha se shpenzimet e Rusisë për mbrojtjen janë të tretat më të mëdhatë në botë, pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve, me shitje masive armësh të avancuara dhe teknologjie ushtarake ndaj Kinës, Indisë, Iranit dhe Venezuelës. Rusia dhe Kina vazhdojnë të jenë shtetet kryesore që paraqesin shqetësim lidhur me zhvillimin e hapësirës ushtarake dhe programet e luftës në hapësirë”.

Anëtari i Komisionit të Forcave të Armatosura, senatori republikan John Warner theksoi nevojën për më shumë bashkëpunim mes agjencive amerikane dhe të huaja të zbulimit që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

“Përveç kësaj ne do të na duhet më shumë kapacitet njerëzor zbulimi, përmirësim i aftësive gjuhësore dhe vetëdije kulturore, sidomos kjo e fundit, me rëndësinë që ka marrë ajo në betejën tonë për të kuptuar gjendjen në Irak dhe Afganistan”.

Senatori Warner u kërkoi gjithashtu shefave të zbulimit që të jenë të hapur me hartuesit e politikave, sado e pakëndshme dhe jo popullore të jetë e vërteta. //kk//

XS
SM
MD
LG