Lidhje

Debate rreth Jezu Krishtit dhe familjes së tij


Regjisori amerikan, James Cameron, fitues i çmimit Oscar, është vënë në qendër të një debati, që në fakt godet bazën e besimit të krishterë. Cameron ka krijuar një dokumentar, i cili nxjerr se disa varre të shekullit të parë, që janë zbuluar në vitet 80, i përkasin Jezu Krishtit dhe familjes së tij. Këtë javë, në Nju Jork, studjues dhe udhëheqës fetarë u mblodhën për të përgënjeshtruar pretendimet që ngre filmi, producentët e të cilit po përpiqen të bindin njerëzit se ky është ndoshta zbulimi më i madh arkeologjik i të gjitha kohërave.

Kur arkeologu izraelit Shimon Gibson mbërriti tek hyrja e një varri të mbajtur fshehur për një kohë të gjatë, në një lagje të Jeruzalemit në vitet ’80, ai e dinte mirë, se ky varr kishte vlera historike.

Dhjetë arkivolet prej guri të shekullit të parë, ku ndodheshin eshtra, do t’u vinin në ndihmë historianëve për të kuptuar më mirë jetën e hebrejve gjatë periudhës së Krishtit.

“Ne e konsideruam atë si një varr të një familjeje të zakonshme hebraike, të shekullit të parë të Erës sonë; duke patur parasysh pamjen e jashtme të varrit, duke u bazuar tek emrat e gdhendur, që ishin më se të njohur, asgjë nuk dukej e pazakontë”.

As Gibson dhe as dy kolegët e tij, Amos Kloner dhe Yosef Gat, nuk besonin në atë kohë se këto arkivole prej guri mund të ishin kyçi i zgjidhjes së “Kodit da Vinçi”, në jetën reale.

James Cameron është producenti i filmit “The lost Tomb of Jesus”, “Varri i humbur i Jezusit”. Ai u tha gazetarëve në New York se në arkivole, jo vetëm që mund të kenë qenë eshtrat e Jezu Krishtit, por edhe të nënës së tij, Marisë, të atit, Jozefit, Mari Magdalenës dhe Judës, birit të Jezusit.

“Sigurisht, do të ketë nga ata, që do të thonë se ne po përpiqemi me këtë film të minojmë Krishtërimin, por filmi ynë nuk ka të bëjë fare me këtë. Ky film në fakt, pasqyron ekzistencën reale të këtyre njerëzve”.

Regjisori i filmit, Simcha Jakobovic, i cili është marrë me studimin e gërmave të gdhendura mbi arkivol, thotë se sidomos mënyra e shkrimit të dy prej emrave i beri ata të mendojnë se ato janë te Mari Magdalenës dhe Jozefit.

Autorët e filmit thonë se nuk është rastësi që emrat e shkruar mbi arkivol, me përjashtim të Judës, përkojnë me emrat biblikë në familjen e Jezu Krishtit. Statisticienët që u konsultuan për filmin arritën në përfundimin se shanset janë të pakta që një tjetër familje e Jeruzalemit të asaj kohe me të njëjtët emra të jetë vendosur në një varr.

Arkeologu Charles Pellogrino, krahas me Simca Jakobovic, kryen kërkime lidhur me filmin. Ata u bënë analizat laboratorike eshtrave që u gjendën në dy arkivolët, që besohej të ishin të Mari Magdalenës dhe Jesusit, për të gjetur lidhjen mes tyre nëpërmjet ADN-së. Rezultoi se mostrat nuk kishin lidhje me njëra tjetrën, duke përforcuar kështu argumentin se eshtrat mund të kenë qenë të dy bashkëshortëve, pra pa lidhje gjaku.

Nuk është hera e parë, që një film dokumentar flet per arkivole me lidhje me Krishtin. Në vitin 1996, BBC-ja intervistoi arkeologun Amos Kloner, lidhur me rëndësinë e zbulimit, por ai hodhi poshtë çdo lidhje që mund të kishin arkivolet me familjen e Jezu Krishtit. Kjo është arsyeja kryesore përse arkivolëve nuk u është kushtuar asnjë lloj rëndësie në arkivat izraelite. Edhe kur e pyetën për filmin, Kloner vazhdon të theksojë se emrat mbi arkivol mund të jenë të njerëzve të zakonshëm që kanë jetuar në Jeruzalem në shekullin e parë dhe se çdo lidhje me familjen e Jezu Krishtit është absurde.

Ndërsa arekologu Gibson, i cili gjithashtu mori pjesë në kërkimet për filmin, shprehet me skepticizëm:

“Unë jam skeptik lidhur me idenë se kujt i përkasin arkivolët, por dua të them se i tillë jam unë. Jam i hapur për të pranuar cdo lloj mundësie, por më duhet të theksoj se mbeten ende për t’u studiuar një sërë faktorësh dhe detajesh, para se të arrihet në një përfundim”.

Autorët e filmit thonë se gjetjet e deritanishme janë vetëm fillimi i debatit, në se varri, i cili kishte mbetur i paprekur, nën një kopësht të një kompleksi shtëpish në Jeruzalem, i përket familjes së Jezu Krishtit.

Ata shpresojnë se përparimet e mëtjeshme në teknologjinë e analizës së ADN-së do të ndihmojnë për zgjidhjen e enigmës në se Jezu Krishti ishte i martuar dhe në se kishte edhe fëmijë. //ze//

XS
SM
MD
LG