Lidhje

Sejdiu: Propozimi Ahtisari çon drejt pavarësisë së Kosovës


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, bëri thirrje sot kundër çdo forme të dhunës e cila sipas tij dëmton aspiratat e qytetarëve të Kosovës. Në një fjalim drejtuar qytetarëve të vendit, ai tha se propozimi i krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Marti Ahtisari e çon Kosovën drejt pavarësisë së saj. Duke ju referuar protestave të 10 shkurtit në Prishtinë që lanë pas vetes dy të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, presidenti Sejdiu shprehu keqardhjen për shpërthimin e dhunës dhe humbjen e dy jetëve.

“Përsëritja eventuale e ngjarjeve të tilla të dhunshme e rrezikon seriozisht procesin e pavarësimit të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët i ftoj të qëndrojnë larg organizimeve të tilla dashakëqij”, theksoi presidenti Sejdiu.

Lëvizja Vetëvendosje, një lëvizje që kundërshton bisedimet për statusin e Kosovës ka paralajmëruar për të shtunën protesta të reja kundër propozimit të zotit Ahtisari dhe punës së ekipit të negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës. Drejtuesit e kësaj lëvizjeje thonë se protesta do të jetë e qetë ndërsa kanë bërë përgjegjës policinë për dhunën që përshkoi protestën e 10 shkurtit. Autoritetet ndërkaq thanë se po vazhdojnë hetime intensive për të ndriçuar zhvillimet e asaj dite. Presidenti Sejdiu në fjalimin e tij bëri thirrje kundër çdo forme të dhunës.

“Dua të theksoj qartë dhe me zë të lartë se të gjithë ata që planifikojnë, nxisin dhe ushtrojnë dhunë për qëllime politike, e në veçanti në emër të pakënaqësive dhe gjoja shqetësimeve popullore ndaj propozimit të Presidentit Ahtisaari, janë esencialisht kundër pavarësisë dhe prosperitetit të vendit tonë”, tha presidenti Sejdiu.

Propozimi i zotit Ahtisari, i cili është kundërshtuar nga Beogradi, ka nxitur shqetësime edhe në Kosovë, posaçërisht rreth çështjeve që kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit, Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe çështjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ekipi I negociuesve ndërkaq pohon se propozimi është I pranueshëm dhe con përpara synimet e qytetarëve të Kosovës.

“Siç e kemi theksuar shpesh këto javët e fundit, Pakoja e Presidentit Ahtisari e shpie Kosovën pashmangshëm në pavarësi, që domethënë se Kosova përfundimisht do ta zërë vendin e vet në familjen e kombeve të lira dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti Sejdiu.

Nesër në Vjenë pritet të përmbyllet seria e konsultimeve të Prishtinës dhe Beogradit rreth propozimit të zotit Ahtisaari. Që nga 21 shkurti kur kanë rifilluar këto konsultime nuk është shënuar ndonjë ndryshim në qëndrimet e kundërta të të dyja palëve. Beogradit që kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën dhe Prishtinës që kërkon pavarësi të plotë. Zoti Ahtisari shpreson të takojë të dyja palët në nivel të lartë politike më 10 mars para se të përmbyllë propozimin e tij përfundimtar që do ta dorëzojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. //ze//

XS
SM
MD
LG