Lidhje

Haradinaj nuk pranon fajësinë nën akuzat për krime lufte


Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk pranoi fajësinë nën akuzat e ngritura kundër tij, të cilat lidhen me rolin që ai luajti si udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë konfliktit nga fundi i viteve 90-të.

Zoti Haradinaj, ish komandant rajonal i kësaj ushtrie, nuk pranoi sot fajësinë e ngritur kundër tij në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krime lufte me seli në Hagë, madje i tha gjykatësit se ishte i ofenduar nga këto akuza.

Seanca gjyqësore me dëshmi në rastin e ish kryeministrit të Kosovës dhe 2 shqiptarëve të tjerë të akuzuar për krime fillon të hënën. Që të tre përballen me akuza për rolin që thuhet se luajtën në një fushatë kriminale për dëbimin e forcave serbe nga Kosova perëndimore.

Në akt-padinë me 37 akuza zoti Haradinaj akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen, persekutimin, përdhunimin dhe dëbimin e serbëve në vitin 1998, ndërsa luftimet intensifikoheshin midis luftëtarëve shqiptarë dhe forcave serbe e jugosllave.

Ndaj zotit Haradinaj u ngrit padija në vitin 2005, ndërsa ai ishte në postin e kryeministrit. Pasi dha dorëheqjen, ai u dorëzua në Gjykatën e Hagës dhe pastaj u lejua të kthehej në shtëpi në pritje të gjyqit. //ze//

XS
SM
MD
LG