Lidhje

Kongresi amerikan shqyrton përsëri çështjen e imigracionit


Sekretari i Sigurisë Kombëtare Majkëll Çertof thotë se nisma e administratës së presidentit Bush për të shtuar sigurimin përgjatë kufirit jugor të Amerikës ka shënuar rezultate në ndalimin e imigracionit të paligjshëm nga Meksika dhe vende të tjera.

“Në nëntë muaj që kur ka filluar ky operacion çdo tremujor kemi rënie të numrit të njerëzve që kalojnë kufirin dhe një rënie akoma më të madhe në përqindjen e të kapurve të tjerë ilegalë”.

Zoti Çertof i tha Komisionit juridik të Senatit se kontrolli i efektshëm i kufirit është hapi i parë kritik për të parandaluar imigracionin e paligjshëm. Ai tha se administrata e presidentit Bush kërkon të punojë me kongresin e kontrolluar tani nga demokratët për të miratuar një reformë të gjithanshme imigracioni.

Por senatorët e të dyja partive thonë se legjislacioni mbi imigracionin nuk ka të ngjarë të jetë i suksesshëm në se ligjvënësit nuk bien dakort mbi mënyrën si të hedhin dritë mbi miliona punëtorë pa dokumenta që fshihen në vend. Shumë republikanë dhe disa demokratë janë të shqetësuar se reforma e imigracionit do t’u japë amnesti imigrantëve të paligjshëm dhe do të shkaktojë një dyndje të punëtorëve të huaj në vend.

Senatori Arlen Spektër është anëtar me peshë në komisionin juridik.

“Pengesa më e madhe që hasëm vitin e kaluar është çështja e amnistisë. Dhe në se dikush ka ide më të mirë se çfarë të bëjmë me 11 milion imigrantët pa dokumenta, jemi të hapur t’i dëgjojmë sugjerimet e tyre”.

Vitin e kaluar, presidenti Bush mbështeti legjislacionin për reformën e imigracionit që u miratua nga senati, por u kundërshtua nga Dhoma e Përfaqësuesve. Kryetari demokrat i Komisionit juridik të Senatit, Patrik Lehi tha se administrata e presidentit Bush duhet të bëjë më shumë për të demonstruar publikisht mbështetjen e saj për ndalimin e imigracionit.

“Kam besimin se kjo mund të arrihet. Në se nuk zgjidhet, atëherë kemi një problem në këtë vend që do të na dëmtojë. Do të na dëmtojë ne si vendi më i madh që jemi dhe do të humbasim shansin për të patur atë lloj shumëllojshmërie etnike në Amerikë që na ka bërë kaq të fuqishëm gjatë viteve”.

Tani po shqyrtohen disa masa, përfshi një program për punëtorë të përkohshëm, ligje më të rrepta për punësimin e imigrantëve dhe hartimin e një rruge drejt shtetësisë amerikane për imigrantët e paligjshëm. //ze//

XS
SM
MD
LG