Lidhje

Daniel Frid: Qytetarët e Kosovës të shmangin protestat e dhunshme

  • Ivana Kuhar

Një zyrtar i lartë amerikan u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të tregojnë durim dhe të shmangin demonstratat e dhunshme. Komentet i bëri për Zërin e Amerikës Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet evropiane Daniel Frid, në një intervistë ku foli edhe për nevojën e zgjidhjes pa vonesa të statusit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Frid, bisedimet në Vjenë mes Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës përfunduan pa ndonjë rezultat. Çfarë presim të ndodhë pas kësaj?

Daniel Frid: Ne e mbështesim ish presidentin Ahtisari dhe procesin që ai po drejton. Më 10 mars në Vjenë do të zhvillohet një raund tjetër bisedimesh në nivelin më të lartë. Zoti Ahtisari thotë se do të nxjerrë përfundime dhe më pas do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit. Ky nuk do të jetë një proces i lehtë. Do të kisha dëshiruar që të mos të na duhej të merrnim një vendim të vështirë si ky me të cilin do të përballemi. Por shpërbërja e Jugosllavisë e cila ishte një tragjedi në shumë aspekte, çoi në luftra, ku u vranë qindra mijra njerëz. Ajo ishte një realitet dhe neve na duhet t’i trajtojmë pasojat në mënyrën më të mirë të mundëshme. Mund të them këtë: neve na duhet një zgjidhje e cila të jetë e qendrueshme, një zgjidhje që të mos pasqyrojë qendrimet nacionaliste të asnjë grupi, pra që të mos kalohet në një ekstrem ose në një tjetër. Çfarëdo që të ndodhë në Kosovë, ajo duhet të jetë një vend ku të gjithë njerëzit të ndjehen si në shtëpinë e tyre.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni për qendrimin e Rusisë? A është ajo dakord me Grupin e Kontaktit?

Daniel Frid: Rusia ka luajtur një rol shumë konstruktiv. Ajo ka qenë një anëtare aktive e Grupit të Kontaktit. Ekspertët e saj për çështjet e Serbisë dhe të Kosovës janë shumë të aftë dhe kanë njohuri të thella. Ata kanë shprehur shqetësime për këtë proces dhe kanë thënë se nuk do të mbështesin një plan që nuk mund të mbështetet nga serbët. Për mendimin tonë, ka rëndësi që të ecet përpara. Kanë kaluar thuajse 8 vjet nga ndërhyrja e forcave të NATO-s dhe kosovarët meritojnë qartësi për të ardhmen e tyre. Shtyrja e mëtejshme nuk do të çonte përveçse në zhgënjime të tjera për të gjitha palët. Nuk shikoj dhe nuk kam dëgjuar ndonjë argument që të thotë se çfarë të mire do të kishte shtyrja e mëtejshme. E kuptoj që propozimet e zotit Ahtisari, të cilat i kam lexuar, bëjnë shumë për të mbrojtur komunitetin serb në Kosovë dhe komunitete të tjera pakicë, manastiret e tyre, tokat e këtyre manastireve, komunitetet ku serbët janë shumicë. Pra, kjo është në fakt një paketë që bën shumë për të mbrojtur praninë serbe në Kosovë, dhe jo vetëm një prani simbolike të saj por praninë e komunitetit që jeton atje, sot dhe në të ardhmen. Pikërisht këtë po përpiqemi të arrijmë.

Zëri i Amerikës: Por si mund të kapërcehet një veto e mundëshme e Rusisë?

Daniel Frid: Nuk dua të hyj në taktikat e OKB-së. Ajo që duhet të bëjmë ne është të jemi të ndershëm me veten dhe me partnerët dhe të dalim me paketën më të mirë të mundshme. Ne duhet të ecim përpara në përputhje me parimet për të cilat kemi rënë dakord dhe të pranojmë se kjo nuk është zgjidhje e përkryer dhe se nuk ekziston ndonjë alternativë ideale pa rreziqe dhe pa një kosto. Por nuk ishte komuniteti ndërkombëtar ai që i krijoi luftrat të cilat shpërthyen në ish Jugosllavi dhe ne duhet të merremi me pasojat në mënyrën më të mirë të mundëshme.

Zëri i Amerikës: Politikanët serbë, të paktën disa prej tyre, thonë se një vendi sovran po i shkëputet një pjesë e territorit. Si do të përgjigjeshit ju?

Daniel Frid: Përgjigja ime është se shpërbërja e Jugosllavisë ishte në shumë aspekte diçka e tmerrshme. Por ajo ndodhi dhe asnjë fuqi e jashtëme nuk e imponoi. Ajo u bë me vendimin e disa njerëzve të caktuar që ne e dimë se cilët janë. Ne e dimë se çfarë roli luajti Sllobodan Millosheviçi. Pra më vjen keq që Jugosllavia u shpërbë ashtu si u shpërbë. Por tani çështja që shtrohet për Serbinë është nëse ajo do të mund të shohë përpara drejt një të ardhmeje evropiane, në një Evropë të bashkuar, të pandarë dhe në paqe. Kjo është një e ardhme që serbët meritojnë. Kjo do të jetë një e ardhme më e mirë për ata vetë, për fëmijët e tyre dhe për botën, një e ardhme që shpresoj se Serbia do ta pranojë.

Zëri i Amerikës: Në Prishtinë njerëzit po shfaqin mjaft padurim se procesi i pavarësisë për Kosovën nuk po ecën me shpejtësinë e duhur. Çfarë do t’u thoshit atyre?

Daniel Frid: Do t’u thosha se komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar thellësisht në procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Në një demokraci, njerëzit kanë të drejtë të demonstrojnë. Por demonstruesit e dhunshëm, njerëzit që përpiqen të sulmojnë policinë ose të pushtojnë ndërtesat qeveritare jo vetëm që sillen në mënyrë të papërgjegjëshme por janë armiq të Kosovës dhe të çështjes së saj që ata pretendojnë se e mbrojnë. Cili mik i Kosovës do të sulmonte policinë e Kosovës dhe do të përpiqej të pushtonte ndërtesa qeveritare? Kjo nuk është ajo që duhet të bëjnë njerëzit nëse janë miq të vendit të tyre dhe partiotë. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Çeku kanë folur me mjaft elokuencë për këtë ditët e fundit. Ata kanë bërë thirrje për rregull dhe qetësi. Ata janë njerëz seriozë dhe pikpamja e tyre duhet të dëgjohet dhe të respektohet. //rd//

XS
SM
MD
LG