Lidhje

SHBA: Shqipëria bën përparim në luftën kundër narkotikëve


Me gjithë përparimet, Shqipërisë i mbetet një rrugë e gjatë për të bërë, nënvizon raporti i Departamentit të Shtetit. Krimi i organizuar dhe trafikuesit e drogës e shfrytëzojnë Shqipërinë si vend-tranziti për heroinën që udhëton nga Azia Qendrore drejt Evropës Perëndimore për shkak të pozitës stratgjike, zbatimit të dobët të ligjit e sistemeve të pareformuara gjyqësore, si dhe kufijve të pakontrolluar mirë të Shqipërisë.

Raporti thekson se Ministria shqiptare e Shëndetësisë beson se përdorimi i drogës edhe nga vetë shqiptarët është në rritje, megjithëse nuk ekzistojnë ende të dhëna të besueshme. Sipas disa vlerësimeve, në Shqipëri ka 30 mijë përdorues droge. “Spitali ushtarak në Tiranë, thekson raporti, ka të vetmen qendër toksikologjike në vend për trajtimin e rasteve të mbidozës. Nga 9 mijë pacientë të trajtuar që nga viti 1995, rreth 70 për qind e marrin drogën përmes shiringave”.

Megjithatë, duke iu referuar dinamikës së vitit të kaluar, raporti flet për suksese në përpjekjet e Shqipërisë kundër trafikut të drogave dhe të qenieve njerëzore. Sasia e heroinës së sekuestruar u rrit gjatë vitit të kaluar, kryesisht për hir të shtimit të vëmendjes së policisë ndaj tregut të kësaj droge. Departamenti i Shtetit tërheq vëmendjen edhe tek prodhimi i bimës së kanabisit, që vazhdon të prodhohet në Shqipëri për tregjet evropiane.

Raporti thekson se qeveria e Shqipërisë, në masë të konsiderueshme, në përgjigje të trysnisë ndërkombëtare dhe ndihmës nga bota, po iu kundërvihet më me agresivitet elementëve kriminalë, por vë në dukje se këto përpjekje sabotohen nga mungesa e burimeve dhe korrupsioni tepër i përhapur. Departamenti i Shtetit thotë se qeveria e Kryeministrit Sali Berisha, që erdhi në pushtet pas premtimeve për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun njerëzor, ka bërë përparime në këto drejtime.

Ndër nismat politike të 2006-ës raporti përmend vendimin e qeverisë për të nxjerrë jashtë ligjit për tre vjet qarkullimin e skafeve të shpejta me synim ndalimin e trafikut njerëzor dhe të drogave. Ndër hapat e qeverisë kundër korrupsionit, raporti përmend miratimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave. Raporti citon dokumentin e ratifikimit të Paktit të Associim-Stabilitetit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimin Evropian, ku shprehimisht thuhet se “Shqipëria vazhdon të përballet me sfida serioze në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të arritur zbatimin e plotë të ligjeve të miratuara, përmirësimin e administratës publike dhe luftën kundër trafikut njerëzor dhe drogave”.

Konkretisht, për sa i përket veprimtarisë së forcave të rendit, raporti përmend përparimet në operacionet kundër narkotikëve. “Autoritetet shqiptare”, thotë shprehimisht raporti, “organizuan operacione të rëndësishme dhe operacione për sekuestrim droge në mbarë vendin, por kryesisht në Fier, Tiranë dhe në portet e Vlorës dhe Durrësit”.

Raporti thekson rritjen e bashkërendimit ndërkombëtar, përfshirë operacionet e përbashkëta me autoritetet italiane, maqedonase, greke dhe turke.

Raporti i referohet gjithashtu shifrave të autoriteteve të vendit, të cilat thonë se deri në 15 tetorin e kaluar policia kishte arrestuar 329 vetë për trafik droge, kishte sekuestruar 104 kilogram heroinë, 5 517 kilogram marihuanë dhe 1,6 kilogram kokainë. Policia ka shkatërruar gjithashtu 74 mijë bimë kanabis dhe 580 bimë për prodhimin e opiumit.

Raporti i departamentit amerikan të shtetit shpjegon se shtimi dyfish i sasisë së heroinës së sekuestruar në krahasim me një vit më parë i kushtohet përdorimit të teknikave të posaçme policore që synojnë tregun e kësaj droge. Ndërsa pakësimi i sasisë së eleminimit të bimëve të drogave shpjegohet me faktin që programet e policisë në bashkëpunim me qeveritë vendore e kanë ulur ndjeshëm kultivimin e tyre.

“Dëshira e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thuhet në raport, “vazhdon të jetë nxitëse për qeverinë e Shqipërisë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë, megjithatë i vazhdueshëm, i shoqërisë civile kanë qenë pengesa për përparim. Shtetet e Bashkuara, bashkë me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të nxisin qeverinë e Shqipërisë në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogave, që ajo të shfrytëzojë me efektshmëri ndihmën në zbatimin e ligjit dhe në reformën e gjyqësor”.

Departamenti i Shtetit për Maqedoninë

Për Maqedoninë, raporti i përvitshëm i departamentit amerikan të Shtetit mbi drogat thotë se ky vend nuk është as prodhues dhe as pikë e rëndësishme tranziti. Sipas raportit, qeveria e Maqedonisë ka bërë një farë përparimi në luftën kundër trafikut të drogave në vitin 2006, por ndërsa u rrit sasia e sekuestruar e drogës, është shtuar edhe përdorimi i drogës nga vendasit. Raporti thekson se autoritetet maqedone të rendit bashkëpunuan ngusht vitin e kaluar në operacione anti-narkotikë me kolegët e tyre rajonalë, përfshirë Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Operacione të tilla herë-herë u vështirësuan nga bashkërendimi dhe planifikimi jo i efektshëm ndërmjet agjencive, si dhe nga të dhëna zbulimi jo të sakta, megjithëse u vu re përmirësim modest për sa i përket bashkërendimit ndërmjet agjencive në krahasim me një vit më parë. //az//

XS
SM
MD
LG