Lidhje

SHBA: Sekretari i Ushtrisë jep dorëheqjen në valën e skandalit për cilësinë e kujdesit shëndetësor për trupat e plagosura


Sekretari amerikan i Ushtrisë dha dorëheqjen në valën e skandalit për cilësinë e kujdesit shëndetësor për trupat e plagosura në Afganistan dhe Irak. Presidenti Bush do që një komision dypartiak të bëjë një hetim para seancave të Kongresit që do të organizojnë demokratët e opozitës:

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts kërkoi dorëheqjen e Sekretarit të Ushtrisë Fransis Harvi sepse tha se ishte i zhgënjyer që disa zyrtarë të ushtrisë nuk po e trajtonin me seriozitetin e duhur problemet në kujdesin shëndetësor për ushtarët e plagosur.

Dorëheqja e detyruar e sekretarit Harvi pason shkarkimin e gjeneralit që drejtonte Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed ku gazeta Washington Post zbuloi se ushtarët e plagosur jetonin në një ndërtesë të pamirëmbajtur, mbushur me minj, myk dhe buburreca.

Skandali e vë veçanërisht në pozitë të vështirë Presidentin Bush, që i viziton rregullisht trupat e plagosura në Walter Reed. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio ai njoftoi për krijimin e një komisioni hetimor dypartiak. “Disa nga trupat e shtruara tek Walter Reed kanë vuajtur nga vonesa burokratike dhe kushte të këqija që nuk i meritojnë. Kjo është e papranueshme për mua, për vendin tonë dhe nuk do të vazhdojë më,” tha Presidenti.

Presidenti Bush thotë se do të deklarojë brenda pak ditësh emrat e anëtarëve të komisionit dhe afatin kur ata do t’i raportojnë atij. Ai tha se do që komisioni të bëjë një vlerësim të kujdesit ndaj të plagosurve që nga koha kur ata kthehen nga fusha e betejës deri kur i rikthehen jetës civile si veteranë.

Mbështetja e publikut ndaj Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka rënë lidhur me luftën në Irak. Sipas anketave, shumica e amerikanëve janë kundër planit të presidentit për të dërguar mbi 20 mijë trupa shtesë si pjesë e strategjisë për të vendosur sigurinë në Bagdad.

Edhe shumica e demokratëve të opozitës janë kundër planit, por nuk janë të prirur të shkurtojnë fondet për rritjen e numrit të trupave, të shqetësuar se një gjë e tillë mund të duket si mungesë besnikërie ndaj ushtarëve që po vënë jetën në rrezik. Demokratët reaguan menjëherë ndaj skandalit në Walter Reed.

Anëtarët demokratë të Kongresit kanë planifikuar mbajtjen e seancave për javën e ardhshme, njërën prej të cilave në sipitalin Walter Reed me disa nga ushtarët e shtruar atje që kanë hasur në burokracinë e ushtrisë.

Në fjalimin e demokratëve në radio, senatori i pavarur Joe Lieberman tha se ushtarëve me plagosje në tru u është dashur të presin me javë të tëra për t’u vizituar nga mjekët. “Nuk ka personel të mjaftueshëm me aftësitë e duhura për të kuruar dhe për t’u kujdesur për trupat e plagosura rëndë. Dhe pavjonet e spitalit ku rrinin ushtarët ishin me myk dhe të mbushura me minj. Nuk ka përgjegjësi më të madhe morale dhe patriotike për vendin tonë sesa të garantojmë kushtet më të mira të mundshme për këta amerikanë të guximshëm, jo vetëm menjëherë pas plagosjes, por gjatë gjithë jetës së tyre, përmes agjencisë së veteranëve,” tha zoti Lieberman.

Senatori Lieberman thotë se është e papranueshme që usharët dhe veteranët që vuajnë nga sëmundje mendore të mos marrin kujdesin e duhur. //ad//

XS
SM
MD
LG