Lidhje

Projekte investimi në energjitikën e Shqipërisë


KESH, kompania më e rëndësishme shtetërore e vendit, sapo ka dalë nga dimri dhe kriza energjitike, dhe përgjegjësitë e situatës së vështirë, Bordi drejtues ia ngarkoi ish-drejtorit të përgjithshëm, Andi Beli. Shkarkimi i tij erdhi pas propozimit të qeverisë, e cila ka projekte të shumta për sistemin energjitik, por megjithatë nuk po arrin ta nxjerrë dot KESH nga vështirësitë e menaxhimit, faturat e papaguara, humbjet e ndjeshme të rrjetit elektrik.

Kryeministri Sali Berisha tha se Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga krizat energjitike, dhe KESH duhet të furnizojë qytetarët pa ndërprerje. "Një seri TEC-esh do të ndërtohen në Shqipëri, për të dalë përfundimisht nga varësia e prodhimit të energjisë nga uji", tha kryeministri Berisha.

Zoti Berisha i bëri këto komente gjatë mbledhjes së fundit të Këshilllit të Rregullimit të Territorit, ku u dha leja një konsorciumi zvicerano-amerikan për ndërtimin e një TEC-i në Fier, i cili do të prodhojë energji elektrike nga gazi i lëngshëm. Projekti parashikon një investim afro 2,3 miliard USD, falë një bashkëpunimi tashmë të filluar midis investitorëve amerikanë dhe atyre europianë.

Përfaqësuesi i konsorciumit ndërtues ASG Poëer, Agim Gjinali, thotë se tashmë janë gjetur burimet e financimit të projektit. "Ne jemi shumë më përpara se të gjithë kompanitë e tjera që janë angazhuar në parkun energjitik të Fierit, madje jemi shumë më përpara edhe se shumë operatorë të tjerë në Ballkan", tha zoti Gjinali.

Inxhinieri Engjëll Dakli, konsulent i USAID thotë se ky projekt e bën Shqipërinë një kandidat bindës për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe zgjeron pjesëmarrjen e saj në tregjet europiane. "Nga pikëpamja energjitike Shqipëia bëhet pjesë e tregut dhe e rrjetit europian të energjisë. Kjo është një pikë tepër e fuqishme për integrimin europian të Shqipërisë. Me realizimin e këtij projekti Shqipëria bëhet edhe pjesë natyrore e rrjetit europian të energjisë", tha zoti Dakli.

Drejtori Bardhi Sejdarasi, i Institutit të Studimeve dhe Aplikimeve të Energjisë thotë se investimet në energjitikën e Shqipërisë janë të mirëpritura, por duhen gërshetuar projekte të ndryshme në një qëllim të përbashkët që të shmangen mbivendosjet. "Kemi disa projekte të rëndësishme që fillojnë me AMBO-n dhe mbarojnë me projektin e ASG, të cilët duhet të konvertohen te njëri -tjetri, për shkak të konflikteve që krijohen dhe për shkak të pamundësisë që ka qeveria shqiptare për t'i menaxhuar ato", tha zoti Sejdarasi.

Investitorët e huaj në fushën e energjitikës po propozojnë teknologji të standarteve bashkëkohore. Shqipëria do të plotësojë kërkesën e brendshme për energji dhe gaz me këtë projekt, ndërsa pjesa tjetër e prodhimit do të transportohet drejt tregjeve europiane./al/

XS
SM
MD
LG