Lidhje

Reagime të banorëve të Prishtinës ndaj Gjyqit të Haradinajt


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, e përshkroi ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj si përgjegjës për vrasje të egra. Ajo e bëri deklaratën në hapje të gjyqit të zotit Haradinaj, i cili bashkë me dy të pandehur të tjerë, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj përballen me 37 akuza që përfshijnë përdhunime, tortura, rrëmbime dhe deportime me dhunë në vitin 1998 në Kosovë. Ndërkohë, sot disa mijra njerëz marshuan në Deçan të Kosovës perëndimore në mbështetje të zotit Haradinaj. Ndërsa në Prishtinë, njerëz të intervistuar në rrugët e qytetit thonë se besojnë se zoti Haradinaj do të shpallet i pafajshëm nga gjykata. Ja disa nga reagimet:

Gjyqi i Ramush Haradinajt vjen në një kohë tensionesh në rritje në Kosovë, kur Beogradi nuk e ka pranuar planin e kryenegociatorit Ahtisari dhe kur një pjesë e shqiptarëve thonë se propozimi nuk shkon sa duhet në drejtim të pavarësisë së plotë.

Ditët e fundit, në Kosovë shikon parrulla të shumta ku shkruhet “Me Ramushin”. tij i është dhënë përkrahje publike edhe nga kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Në Prishtinë,disa njerëz të intervistuar thonë se besojnë që zoti Haradinaj do të dalë i pafajshëm në gjyq.

"Mendoj se Ramush Haradinaj është i pafajshëm, e gjithë kjo është një lojë politike. Jam i bindur se ai do të lirohet nga të gjitha akuzat," tha Shefki Dili.

"Ramushi bëri atë që duhet të bënte, mbrojti popullin dhe vendin e vet," shton Hilmi Hajra.

Prokurorët e përshkruajnë Ramush Haradinajn si një komandant të pamëshirshëm në kohën e luftës dhe i akuzojnë forcat e tij se kanë kryer vrasje, përdhunime dhe tortura për t’i dëbuar serbët dhe përkrahësit e tyre nga zona e Dukagjinit midis marsit dhe shtatorit të vitit 1998.

Në gjyq janë edhe Idriz Balaj, që thuhet se drejtonte një njësi të posaçme të quajtur Shqiponjat e Zeza si dhe Lahi Brahimaj, për të cilin prokurorët thonë se ishte njëri nga zëvendësit e Haradinajt në rajonin e Dukagjinit. Të tre përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata nuk e kanë pranuar fajësinë për asnjërën prej të 37 akuzave të ngritura kundër tyre.

Prokurorët thonë, se megjithëse nuk i kanë kryer vetë të gjitha krimet, Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë përgjegjës për to sepse shkeljet ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale, siç e quajnë ata, për dëbimin dhe keqtrajtimin e serbëve dhe se të tre ata ishin pjesë e kësaj sipërmarrjeje.

Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës në mars 2005 sapo ndaj tij uj ngritën akuzat dhe iu dorëzua vetë Gjykatës së Hagës, ku deklaroi se ishte i pafajshëm.

Analisti politik, Dukagjin Gorani, thotë se Haradinaj më në fund do të lirohet nga akuzat:

"Ajo që pritet përgjithësisht nga publiku në Kosovë është se Haradinaj, do të lirohet nga akuzat. Fakti që Haradinaj është në Hagë nuk ia heq atij përgjegjësitë si njëri nga personat kryesorë në politikën kosovare. Pra, opinioni kosovar përpiqet ta ndajë Haradinajn si hero të luftës e që ndodhet në Hagë dhe Haradinajn si një personalitet të fortë politik në një skenë politike kosovare që është shumë e rrëmujshme dhe problematike," thotë analisti.

Haradinaj u lejua të kthehej në Kosovë gjatë kohës që priste të fillonte gjyqi. Ai u lejua të vazhdonte rolin, ndonëse të kufizuar, si udhëheqës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë kanë vazhduar të qendrojnë në Hagë që nga viti 2005.//lk

XS
SM
MD
LG