Lidhje

SHBA: Projekt-ligj në Senat kundër një sulmi të paprovokuar ndaj Iranit


Një senator amerikan ka paraqitur një projekt-ligj i cili do të ndalonte presidentin Bush të akordojë të ardhura për ushtrinë, për të financuar veprime ushtarake në mënyrë të njëanshme kundër Iranit, pa miratimin e Kongresit.

Senatori Xhejms Ueb, një demokrat nga shteti i Virxhinias, paraqiti dje në Senat një projekt-ligj: “Pikësynimi kryesor i këtij ligji është të parandalojë administratën, të fillojë një ndërhyrje ushtarake të paprovokuar kundër Iranit, pa miratimin e Kongresit.”

Disa senatorë demokratë kanë shprehur shqetësime se presidenti Bush mund të jetë duke u përpjekur të krijojë një pretekst për të ndërmarrë një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit.

Presidenti Bush, i cili akuzon Iranin se po ndihmon në shkallëzimin e dhunës në Irak, një akuzë e mohuar nga Teherani, urdhëroi një areoplan-mbajtëse tjetër të patrullojë rajonin e Gjirit Persik nga fundi i vitit të kaluar. Por zyrtarët e administratës këmbëngulin se nuk ka plane për një sulm kundër Iranit dhe argumentojnë se demonstrimi i forcës në Gjirin Persik ka për synim të ruajë stabilitetin rajonal. Administrata i ka bërë thirrje Kongresit të mos miratojë një ligj i cili do të kufizonte të drejtat e presidentit si komandant i forcave të armatosura.

Senatori Ueb thotë se projekt-ligji i paraqitur prej tij nuk përbën një kufizim të tillë dhe do të lejonte përdorimin e forcës kundër Iranit në disa raste. “Do të doja të theksoja se ky ligj nuk do të eliminonte të gjitha variantet e përdorimit të forcës kundër Iranit dhe as nuk do të ndalonte administratën të përdorë forcën ushtarake nëse trupat tona do të sulmoheshin nga territori iranian, ose ujërat e tij territoriale, ose nga forca që janë tërhequr brenda kufirit iranian.”

Një projekt-ligj i ngjashëm është paraqitur edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Senatori Ueb, një veteran i luftës në Vietnam, i cili ka shërbyer edhe si sekretari i Marinës për administratën e presidentit Regan, vlerësoi vendimin e administratës së presidentit Bush për të marrë pjesë në konferencën rajonale të organizuar nga Iraku, ku janë ftuar të marrin pjesë edhe Irani dhe Siria.

Zoti Ueb ka thënë prej kohësh se Irani duhet të marrë pjesë në përpjekjet rajonale për t’i dhënë fund luftës në Irak. Megjithatë zyrtarët e administratës së presidentit Bush thonë se Shtetet e Bashkuara nuk do të angazhohen në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin derisa ai t’i japë fund programit bërthamor, për të cilin Uashingtoni argumenton se ka për qëllim prodhimin e armëve atomike.

Ndërkohë Teherani thotë se programi i tij bërthamor synon prodhimin e energjisë për qëllime paqësore. //ad//

XS
SM
MD
LG