Lidhje

Ish këshilltari i nënpresidentit Çeni, fajtor për pengim të drejtësisë

  • Jim Malone

Ish ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë, Luis Libi u shpall dje fajtor nën katër akuza nga pesë të ngritura për gënjim, dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë lidhur me hetimin për të zbuluar personin që publikoi identitetin e ish-agjentes së CIA-s, Valeri Pllejm në vitin 2003. Megjithatë, askush nuk do të akuzohet për çështjen se kush në fakt e nxori emrin e ish agjentes.

Libi ka qenë shef personeli i nënpresidentit Dik Çeni dhe njëri nga këshilltarët më të fuqishëm të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u shpall fajtor për katër akuza nga pesë të ngritura se ka gënjyer ose është përpjekur të gënjejë hetuesit e FBI-së dhe jurinë e madhe federale. Hetimet synonin të gjenin se kush e nxorri në shtyp emrin e ish agjentes së fshehtë të CIA-s Valeri Pllejm.

Pas vendimit, avokati i Libit, Ted Wells, tha se do të kërkojë përsëritjen e gjyqit dhe nëse nuk e arrin këtë do ta apelojë vendimin. "Ne besojmë, siç thamë kur u ngritën akuzat, se zoti Libi është krejtësisht i pafajshëm dhe se nuk ka bërë asnjë shkelje," tha avokati.

Emri i zonjës Valeri Pllejm si agjente e CIA-s u zbulua në një artikull gazete në vitin 2003. Prokurori i posaçëm Patrik Ficxherald filloi hetimet për të sqaruar nëse nxjerrja e emrit ishte pjesë e përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të diskredituar bashkëshortin e saj, ish ambasadorin Xhozef Uillson. Uillson kishte akuzuar administratën Bush për shtrembërim të fakteve të zbulimit në prag të luftës në Irak.

Prokurori Ficxherald bëri këto komente për gazetarët pas dhënies së vendimit. "Eshtë e qartë se juria u bind plotësisht se i pandehuri ka gënjyer dhe e ka penguar seriozisht drejtësinë. Rezultati është për të ardhur keq sepse u krijua një situatë ku një zyrtar i rangut të lartë, një person që punonte në zyrën e nënpresidentit, pengoi drejtësinë dhe gënjeu para gjyqit. Do të donim që kjo të mos kishte ndodhur por ja që ndodhi," tha Ficxherald.

Prokurorët thanë se Libi kishte mësuar për lidhjen e zonjës Pllejm me CIA-n nga nënpresidenti Çeni dhe zyrtarë të tjerë. Avokatët e Libit thonë se ai thjesht nuk mbante mend dhe ishte ngatërruar kur ishte pyetur për bisedat me gazetarët. Disa prej gazetarëve ishin thirru për të dëshmuar mbi çështjen.

Prokurori Ficxherald tha se nuk do të ngrejë akuza të tjera për këtë hetim që ka zgjatur katër vjet, pra askush nuk do të akuzohet për çështjen se kush e nxori emrin e ish agjentes së CIA-s.

Në Shtëpinë e Bardhë, nësekretarja e shtypit Dana Perino tha se Presidenti Bush e kishte mësuar nga televizioni lajmin për vendimin kundër Libit dhe kishte shprehur keqardhje për të dhe për familjen e tij. "Ajo që mund t’u them tani është reagimi i presidentit, pra se ai e respekton vendimin, e respekton jurinë dhe ne nuk mund të bëjmë komente të tjera përveç këtyre."

Libi mund të dënohet me një afat të gjatë burgimi tani që është shpallur fajtor për katër nga 5 akuza të mundëshme. Ai do të jetë i lirë me kusht deri në muajin maj kur të zhvillohet seanca për dhënien e dënimit. //ii//

XS
SM
MD
LG